Nëse Berisha arrestohet, a do ta marrë Ilir Meta drejtimin e opozitës?

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2023, 14:15 | Politikë

Me Sali Berishën në arrest shtëpie ose në burg, Ilir Meta nuk e sheh si një mënyrë për të marrë drejtimin e opozitës. I pyetur nga gazetari i A2 CNN, Anesti Barjamemaj, Meta u duk i palëkundur për të mos marrë më pushtet në opozitë, nisur edhe nga fakti që Sali Berisha e ka konfirmuar që asnjë masë sigurie nuk do e stepë atë.

Ai tha se kush është në krye të PD-së është një vendim që Gjykata do duhet ta kishte dhënë me kohë, por që e ka zvarritur pas urdhrit të Edi Ramës.

“Përgjegjësitë e PD janë të rëndësishme dhe janë të vendosura nga vota, sa i takon rolit të Berishës, ai e ka bërë të qartë se asnjë masë ndaj tij nuk e ndryshon vendosmërinë e tij për të drejtuar PD, për fuqizimin e PD. Gjykatat duhet ta kishin zgjedhur me kohë larg diktatit të Edi Ramës, është zvarritur vetëm për interesa të Edi Ramës, që kërkon konfuzion në opozitë dhe të godasë opozitën për qëllimet e tij”, përfundoi Meta në konferencën për shtyp nga selia e Partisë së Lirisë.

Meta tha se nuk druhet aspak se do të ketë të njëjtin fat si aleati i tij.

“Nuk kam asnjë shqetësim, edhe vetë Berisha ka qenë i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë, ai ka kontestuar rrugën që është ndjekur, në mbrojtje të parimeve Kushtetuese dhe garancive që Kushtetuta i jep deputetit, jo si privilegj, por sa i një mbrojtje”, u shpreh Meta.

Pak më shumë se dy orë, pasi me 75 vota të mazhorancës socialiste u vendos për të zhveshur nga imunitetit i deputetit, kreun e Rithemelimit Sali Berisha, Kuvendi ia ka dorëzuar zyrtarisht vendimin, Prokurorisë së Posaçme.

Nëpërmjet një dokumentacioni 2-faqësh, Kuvendi informon SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës, duke i hapur rrugën organit të akuzës që t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Posaçme për të ashpërsuar masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit. Gjasat janë që GJKKO të aplikojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Berishën, pas refuzimeve të vazhdueshme të tij për të zbatuar vendimin e mëhershëm që konsistonte në “detyrim paraqitje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos