“Kushtetuta e vendit u shkel në nenin e saj nr. 73 dhe u krijua një precedent që la shije gjuetie mbi Sali Berishën, i cili përfaqëson pjesën më të madhe të opozitës”. Kështu është shprehur nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, pasi Kuvendi i hapi rrugë arrestimit të Sali Berishës. Në një postim në Facebook Gjekmarkaj thekson se goditja ndaj tij nuk është e barabartë me asnjë goditje ish-ministri.
“Ai nuk është mbi ligjin, por as nën të nuk duhet të futet me aksion politik. Pritëm që në mbledhjen e Këshillit të Mandateve të paraqiteshin prova ndaj tij, por ato nuk i pamë. Dikur kjo mazhorancë kërkonte prova dhe u nxirrte sytë prokurorëve për Saimir Tahirin. Dy standardet janë një standard triumf i politikës mbi drejtësinë, helm ky, që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re. Goditja ndaj tij nuk është e barabartë me asnjë goditje ish-ministri, nëse dikush kërkon të ndërtojë paralelizma”, shkruan Gjekmarkaj.
Sipas tij, një vend pa opozitë është pa demokraci dhe u bën thirrje shoqërisë që të ndihmojë në ringritjen e saj.
“Një vend pa opozitë apo me atë të nëpërkëmbur, të shtypur nga thundra gardistësh, është vend pa garanci dhe, si i tillë, pa demokraci, është regres. Një vend ku të votuar nga populli opozitar përdoren nga pushteti, është një vend në krizë të thellë etike, aq shumë të tillë sa propozohen bash nga këta, ligje që opozita të dënohet me burg nëse bën denoncime. Nëse opozita nuk ia del e vetme, shoqëria duhet ta ndihmojë atë ose një ditë do të jetë ajo e vetmuar. Të zgërdhihesh sot me dobësitë e opozitës është justifikim ndaj mungesës së forcës për ta parë realitetin në sy. Se çfarë ishte Shqipëria pa opozitë, e kemi të gjithë kujtimin, shenjat, gjurmët në sjellje, mendësi , në trupin e atdheut kudo. Sekush është në të drejtën e vetë ta gjykojë opozitën, ta braktisë, t’i bashkohet po kaq njerëzore të kesh frikë dhe, në vend të përballjes, të zgjedhësh konfortimim, por secili, së paku para pasqyrës së ndërgjegjes, t'ia pranojë vetes që tkurrja, ikja, frika nuk janë virtyte, nuk janë vlera. Ajo do të konsiderohet trashëgimia e nënshtrimit, e cila krijon cikle të gjata, ku të drejtat hiqen një nga një dhe mbetesh i vetëm përballë policit pa avokat”.
(A2 Televizion)