I druhet të njëjtit fat si Berisha? Meta: Miti i “të paprekshmëve” është një përrallë, SPAK porosi nga Kongreset e PS

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2023, 14:00 | Politikë


Sot Sali Berisha është përballë drejtësisë pa imunitetin e deputetit, e ndërsa ka vetë çështje të hapura në SPAK, Ilir Meta tha se nuk druhet aspak se do të ketë të njëjtin fat si aleati i tij.

“Nuk kam asnjë shqetësim, edhe vetë Berisha ka qenë i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë, ai ka kontestuar rrugën që është ndjekur, në mbrojtje të parimeve Kushtetuese dhe garancive që Kushtetuta i jep deputetit, jo si privilegj, por sa i një mbrojtje”, u shpreh Meta.

Shumëkush e ka konsideruar hetimin ndaj Berishës si “arritja e drejtësisë te të paprekshmit”, mirëpo Meta nuk e konsideron kështu. Ai tha se ky është thjesht një mit, pasi “kokat” ende nuk po preken nga drejtësia.

“Nuk kam asnjëherë një lloj shqetësimi të tillë, sa i takon mitit të të paprekshmëve, mendoj se kjo është një përrallë. Ai nuk është një kryeministër në detyrë, nuk është një president në detyrë, nëse flasim për paprekshmërinë ne e shohim që nga një anë kemi një përshkallëzim të masave të sigurisë për një çështje që është kontestuar, ndërkohë kemi firmat e kryetarit të Bashkisë që ka rrëmbyer kompetencat e këshillit Bashkiak të qarkut të Tiranës për Inceneratorët, kemi firma pa fund të kryeministrit aktual dhe as nuk i përmendet emri”, përfundoi kryetari i Partisë së Lirisë.

Njësoj si Berisha, ai hodhi akuza në drejtim të SPAK, duke thënë se vepron me regji të drejtuar nga Edi Rama dhe urdhra të dhëna nga Kongresi i PS-së.

“Porositë janë dhënë dhe jepen nga kongreset e Partisë. Porositë janë publike dhe të qarta. Përpjekja për të krijuar iluzion sikur po goditen të dyja palët, është një regji e Edi Ramës. Edhe sakrifikimet e personave të caktuar, nuk janë gjë tjetër veçse një regji për të vazhduar të gjitha aferat. Përfituesi kryesor në gjithë këtë histori është Edi Rama”, u shpreh Meta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos