Një krim shtetëror i ka konsideruar Sali Berisha zjarret që shkrumbuan qindra hektarë tokë në javët e fundit në vend. Kreu i opozitës pretendoi se zjarret në Shqipëri nuk kishin intensitet shumë të lartë, po paaftësia e shtetit solli pasoja katastrofike.
“Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr”.
Fajtor për situatën bën kreun e qeverisë, Edi Ramën, që sipas tij ka qenë indiferent ndaj problemit të zjarreve dhe se paratë e buxhetit të shtetit janë keqpërdorur.
“Flota ajrore ekzistuese, ndër vite u përgjysmua, nga 8 helikopterë, sot janë në funksion as 3. Vendi nuk ka zjarrfikëse, nuk ka helikopterë, nuk ka Kanadair apo avionë të tjerë të shuarjes së zjarreve, as të blerë dhe as të kontraktuar me qira, ndërkohë Edi Rama paguan 5 milionë për të vendosur Kopshtin e Edenit në oborrin e kryeministrisë”.
Pavarësisht se e gjithë konferenca e tij shigjetonte qeverinë, Berisha pohoi se synimi nuk është akuza ndaj drejtuesve të institucioneve, por ndërgjegjësi i qytetarëve për të kërkuar dëmshpërblim për çdo dëm nga zjarret.
“Njohja e përgjegjësisë nga qeveria për krimin shtetëror, përbën detyrim madhor për t’iu përgjigjur zhdëmtimit maksimal të çdo fermeri, për çdo dëmtim në banesë, për çdo dëmtim fizik, për viktimat”.
Kreu i opozitës i bëri thirrje qeverisë të njoh zjarret si krim shtetëror dhe të paguajë çdo qytetarët për çdo dëmtim. (A2 Televizion)