Kreu i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Sali Berisha, ka folur për gazetarët para sallës së Parlamentit, pak para fillimit të seancës së sotme plenare. Berisha vuri në dukje faktin se Parlamenti është i rrethuar nga të katra anët, gjë që sipas tij, tregon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga opozita e pathyeshme.
Berisha shtoi më tej se, Edi Rama pasi pa që opozita nuk ishte më e manipulueshme, nisi të shpalosë strategjinë e tij, që s’po bën gjë tjetër veçse po thellon vendin në krizë.
“Parlamenti është vendosur në shtetrrethim, sikurse të ishte parlamenti i Koresë së Veriut, Parlamenti i vendeve diktatoriale. Është i rrethuar nga të katra anët që dëshmojnë frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga opozita e pathyeshme, e cila mbron kushtetutën dhe interesat e çdo qytetari shqiptar.
Ndaj ju lutem dilni, filmoni nga të katra anët dhe shikoni se si funksionon Parlamenti i Edi Linda Ramës. Lindës së parlamentit e kam. Edi Rama pasi e pa që opozita nuk do jetë më e manipulueshme, do mbrojë të drejtat e saj, ka shpalosur këtë strategji me të cilën e thellon vendin çdo ditë në krizë.
Por i thashë që nuk ka forcë në botë të na ndalë. Le të përdortë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta e popullit opozitar. Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese të mohuara në mënyrën më brutale”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij para gazetarëve Sali Berisha.
(A2 Televizion)