Nga Pogradeci, ku ndodhej për disa takime, Sali Berisha ka hedhur akuza dhe ka bërë disa komente për vendimin e një dite më parë të Prokurorisë ndaj vëllait të Kryeministrit në lidhje me dosjen Xibraka.
“Me deklaratën e tij dje, SPAK-u tregoi se është pjesë e dosjes së Xibrakës, kaq mund të them unë. Tregoi që tani nuk kemi vetëm Olsin, por kemi edhe Dumanin anëtar të bandës së Xibrakës. Kjo është e vërteta”, tha Berisha, raporton A2 CNN.
Ai nuk ka lënë jashtë vëmendjes as vajzën e tij dhe konfliktin që ka me një gjyqtare, si dhe vizitën e Argita Malltezit në SPAK për këtë çështje.
“Për sa i përket thirrjes së vajzës sime dje për Irenën me 5 mbiemra, ishte gjëja më normale. Përpiqen të përdorin postet për të mbrojtur një delikuente edhe ajo, një gjykatëse delikuente, e dënuar. Por kjo është njëra anë, krimi më i madh është se e ka fshehur dënimin. Ajo e ka vendin në burg dhe jo në sallën e gjyqit”. (A2 Televizion)