Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatëve në Qarkun e Beratit, deklaroi se po afron "një ngjarje e madhe, një datë që do ndajë eopkat, do ndajë narko-diktaturën, do ndajë 12 vite, në të cilat shqiptarët u larguan nga Berati, u larguan nga trojet e tyre sa kurrë ndonjëherë në tërë historinë qindra e qindra vjeçare".
"Po shkojmë drejt një vendimi të madh, që çdo qytetare dhe qytetar i Beratit, i këtij qarku dhe tërë Shqipërisë do marrë më 11 maj për t’u ndarë me një të keqe e cila dëmtoi kombin, zbrazi Shqipërinë, pakësoi shqiptarët sa asnjë luftë, sa asnjë epidemi, sa asnjë fatkeqësi në tërë historinë e tyre. Miq, sot është një moment për t’u përulur me nderim të madh shumë, para baballarëve, gjyshërve, stërgjyshërve tuaj, të cilët këtu buzë Osumit ndërtuan një kryevepër madheshtore, siç është qyteti juaj. E vendosën Beratin në kurorën e trashëgimisë së qytetërimit botëror. Berati madhështor është vepra e tyre e pavdekshme, e përjetshme", u shpreh Berisha, shkruan A2.
"Berati madhështor është frymëzim i madh për çdo shqiptare dhe shqiptar, për çdo beratase dhe për çdo beratas, për të bërë çdo gjë, për t’u ngritur në lartësinë e kësaj madhështie që trashëgojmë ne në këtë qytet. Pra, Berati, diamant në kurorën e kulturës botërore, këto 12 vite njohu braktisje, braktisje dhe vetëm braktisje. Berati, diamant në kurorën e trashëgimisë kulturore botërore, këto 12 vite njohu një varfërim të banorëve të saj, një varfërim shumë të pamerituar, ky qytet, ky rreth.
Mendoni për një moment, të duket se është qyteti i kohës së ndaluar. Qyteti nuk njohu, jo që nuk njohu investime, por edhe universiteti u mbyll. Universiteti, i cili i jipte qytetit gjallëri, shpresë dhe besim. Berati, të cilit iu premtua ishulli i Osumit, premtimin e ishillit e mori lumi. Kurse, Edi Ramës i ngelet turpi dhe mashtrimi", shtoi më tej Berisha. (A2 Televizion)