Rama në Dibër: Altin Dumani nga zona juaj u bë i fortë, se i dorëzoi PS shpatën e drejtësisë

Nga A2 CNN
17 Prill 2025, 18:19 | Politikë

Rama në Dibër: Altin Dumani nga zona juaj u bë i fortë, se i

Kreu i SPAK, Altin Dumani u bë pjesë e takimit elektoral të kryeministrit Edi Rama me vajzat dhe gratë në Dibër. Jo fizikisht, por emri i tij u përmend nga shefi i qeverisë si një burrë i kësaj zone, i cili sipas Ramës u bë i fortë sepse Partia Socialiste me reformën në drejtësi, i dorëzoi në duar shpatën e ndëshkimit.

“Ju këtu në Dibër keni dhe drejtuesin e SPAK, e keni këtu. Po si u bë kaq i fortë Altin Dumani? Ai u bë i fortë sepse ne nuk e kemi bërë asnjëherë për vete. Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit që i takon drejtësisë, dhe është për të vënë duart në kokë kur çohen dhe thonë: “Si mund të votoni PS, kur gjysma janë burg, gjysma tjetër janë për burg?”. Sepse sot, nëse ju shihni që mund të ketë barazi para ligjit në Shqipëri, këtë e bëri PS", tha Rama.

Por kryeministri nuk la pa vlerësuar figurën e kreut të Prokurorisë së Posaçme, duke u ndalur tek integriteti i tij dhe lufta e fortë me krimin.

"Dua ta sjell në vëmendje për këtë arsye: Altin Dumani, meqë është i zonës po e përmend, ka qenë prokuror shumë vite, dhe po ky ka qenë nga Dibra, i ndershëm, i zoti, i papërzier veçse me punën e vet. Kishit dëgjuar ndonjëherë që Altin Dumani të merrte në pyetje ndonjë person të njohur? Kur unë thosha atëherë që duam të kemi një drejtësi që të mos shohë majtas dhe djathtas, e kisha dhe për ne. Dhe fuqia jonë morale, karakteriale, politike, qytetare është për të tejkaluar veten dhe për të qenë të aftë moralisht për të pranuar dhe goditjet e drejtësisë kur ato vijnë edhe brenda shtëpisë sonë", u shpreh Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos