Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama. Gjatë prezantimit të kandidatëve për qarkun e Durrësit, kreu demokrat deklaroi se Rama prej dy ditësh nuk fle për shkak të këshilltarit të fushatës së demokratëve Chris La Civita. Berisha e cilësoi si “gjeniun e rikthimit më të madh në histori” dhe ironizoi strategjinë e komunikimit të Ramës.
“Edi Rama, je i pashpresë. E di ti se e bitise siç e meriton. Ka dy ditë dhe net që nuk fle dhe merret duke i vënë nofka të ndryshme gjigantit, gjeniut, bashkëgjeniut të rikthimit më të madh në histori, Chris LaCivitas. Arkitektit të rikthimit të Sali Berishës dhe opozitës shqiptare në pushtet. Edi, prit se do marrësh vesh prapë se kush përfaqëson tani anën kreative. Kur të marrësh vesh se Uollt Disney është në mbështetjen tuaj, bëhen pluhur të gjitha mashtrimet e tij”.
Gjatë fjalës së tij kryedemokrati shpalosi gjithashtu disa nga premtimet kryesore të programit elektoral të forcës së tij politike.
“Nuk do të ketë më pension në Shqipëri nën 200 euro, pensionet mbi 200 euro do të rriten 20%. Rrogat minimale do rriten nga 400 në 500 euro. Rrogat mesatare do rriten në 1200 euro. Rrogat e mësuesve do rriten në 1500 euro. Në 100 ditët e para, paketa e dhembshurisë do jetë ligj, do jetë në fuqi”, u shpreh Berisha.
Berisha premtoi se “përveç 200 eurove minimum jetik, do kenë kartën e konsumatorit”.
“Karta e konsumatorit do të thotë se rrogëulëtit, pensionistët, ata që janë në ndihmë ekonomike, të tjerët që janë të papunë, ushqimet do i marrin 20 përqind më lirë. Shteti do u kthejë atyre paratë”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek prodhimi vendas, Berisha u shpreh: “Shqipëria Madhështore nuk është një projekt në qoftë se ne nuk garantojmë një ekonomi të fortë. Prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim në të katër anët e Shqipërisë. Shqipëria është vend i bekuar me rezerva të jashtëzakonshme, nëntokësore, mbitokësore, turistike dhe të gjithanshme”.
Berisha foli për përgjysmim taksash, politika stimuluese dhe favorizuese për kthimin e shqiptarëve nga diaspora do implementohen menjëherë.
“Ne besojmë tek iniciativa juaj e lirë, pasuritë publike do i shndërrojmë në pasuritë tuaja. Taksat do i përgjysmojmë kudo, dhe më shumë se përgjysmim. Pesë vite pa asnjë taksë. Kredi të buta për ta. Kredi të buta për të gjitha gratë që duan të mbajnë biznese. Grante për to. Kredi të buta për të rinjtë që nisin biznesin. Do bëjmë gjithçka që të rinjtë, ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri”, tha Berisha.
Sipas kryetarit të PD-së “Shqipëria Madhështore nuk ndërtohet kurrë nëse të rinjtë nuk ndërtojnë në këtë tokë ëndrrën e tyre. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ëndrrave të të rinjve shqiptarë”.
“Shqipëria bëhet madhështore vetëm kur ajo të arrijë në madhështinë e familjes shqiptare, kur familja shqiptare të jetë një familje solide, një familje e vlerave, një familje e vizionit dhe edukatës”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu kreu demokrat nënvizoi zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
(A2 Televizion)