Pas fitores historike të Partisë Socialiste më 11 maj, Edi Rama ka mbledhur kandidatët fitues, por edhe ata që humbën betejën mes tyre për një vend në Parlament.
Në fjalimin e dytë të fitores, pas atij në sheshin Skënderbej, kryesocialisti tha se ky i katërti do të jetë një mandat vetëkorrigjimi për t’u shërbyer më mirë shqiptarëve, shkruan A2. Mes festës ka dhe paralajmërime për ndryshime në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri.
Fjalimin, kryesocialisti Rama zgjodhi ta mbante pranë memorialit të Rilindasve dhe patriotëve shqiptarë në Pallatin e Brigadave. Mes më të shquarve të Rilindjes Kombëtare dhe socialistëve të rinj e të vjetër, Rama u shpreh i palëkundur për të mbështetur drejtësinë dhe punën e SPAK-ut.
U tregua diku i ashpër, diku ironik e diku cinik ndaj demokratëve që akuzojnë për grabitje votash me përdorimin e shtetit dhe të krimit në zgjedhje.
Në zgjedhjet e 11 majit, socialistët garantuan plot 83 mandate deputetësh në Kuvend, ndërsa demokratët pësuan një tkurrje të madhe, duke u mjaftuar në 50 mandate. Tre deputetë do të kenë socialdemokratët, 2 Mundësia dhe nga një Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë. (A2 Televizion)