Berisha shfaqet me kapelen me numrin 1: Në 12 vite shqiptarët morën rrugët e dheut

Nga A2 CNN
18 Prill 2025, 20:05 | Politikë

Berisha shfaqet me kapelen me numrin 1: Në 12 vite shqiptarët

Për herë të parë që nga nisja e fushatës, Sali Berisha është shfaqur mbrëmjen e sotme me kapelën që mban numrin 1, i cili përkon me numrin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore në fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit. Para banorëve të Kamzës, kreu demokrat parashtroi programin elektoral të PD-së dhe premtoi se kur të vijë në pushtet do të rrisë pagat e pensionet. Sipas tij pensionistët janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

“Një pensionist që në vitin 2013 merrte një pension mesatar 143 mijë lekë, merrte më shumë se secili moshatar i tij në vendet përreth. Po sot si është gjendja? Sot pensionisti i Malit të Zi merr 450 euro, kurse pensionisti në Shqipëri merr 170 euro. Pensionisti në Maqedoni merr 405 euro. Pensionisti në Serbi merr 430 euro. Pensionisti në Kosovë merr 190 euro.  Në Shqipëri merr 170 euro mesatarja. Kaq marrin vetëm 43 përqind e pensionistëve, 57 përqind e tyre marrin pension të pjesshëm. Ky ishte qëndrim çnjerëzor, poshtërues për një të tretën e popullatës. Ndaj zotohem para jush se 100 ditët e para nuk do ketë pensionist në Shqipëri që nuk do marrë 200 euro”.

Ai akuzoi qeverinë aktuale për varfërimin e vendit, rritjen e çmimeve dhe shpopullimin masiv, duke deklaruar se nga viti 2014 deri në 2023 janë larguar mbi 1 milion shqiptarë.

“Nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën e BE u larguan 1 milion e 99 mijë banorë të Kamzës dhe gjithë Shqipërisë. Miqtë e mi, këta që morën rrugët e dheut nuk i morën ato se lakmonin pasuri. Nuk i morën ato se nuk kishin mall dhe dashuri për familjen. Nuk i morën ato se nuk donin vendin e tyre. Por rrugët i morën se nuk jetonin dot në Kamzë, nuk jetonin dot në Tiranë, nuk jetonin dot në Shqipëri sepse ky regjim, Shqipërinë, Kamzën që rritej në popullatë nga viti në vit, e bëri Shqipërinë dhe Kamzën që nuk jetohej më. E bëri sofrën e familjeve shqiptare të mos pranonte as fëmijët e vet, por t’u thoshte paçi fatin, merrni rrugët e botës. Nuk ikën shqiptarët se donin të iknin, por ikën se ilaçet nuk i blinin dot në vendin e tyre, por ikën se kreditë nuk i paguanin dot në vendin e tyre, por ikën se shtëpitë nuk i blinin dot në vendin e tyre”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos