Berisha thirrje intelektualëve, biznesit dhe fermerëve: Të ngrihemi kundër këtij regjimi

Nga A2 CNN
15 Janar 2024, 19:22 | Politikë

Berisha thirrje intelektualëve, biznesit dhe fermerëve: Të

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte i pranishëm sot në seancën e Kuvendit, pasi ndodhet në arrest shtëpie. Mirëpo, kjo nuk e ka penguar që t’u drejtohet qytetarëve, madje ka pasur një mesazh.

Ai u bën thirrje intelektualëve, biznesit dhe fermerëve që të ngrihen kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, atë që ai e quan regjim.

“Ju bëj një thirrje miqësore mbarë intelektualëve shqiptarë: ngrihuni sot më shumë se kurrë. Për intelektualin i cili ka për busull të vërtetën, kjo është ora e të vërtetës. Kjo është ora e të vërtetës supreme, në të cilën beteja është për shpëtimin e atyre të vërtetave që janë më të shtrenjta për çdo njeri, për shpëtimin e atyre të vërtetave që janë më të shtrenjtat për çdo shoqëri, për çdo komb, për çdo vend.

Dhe këto të vërteta janë të vërtetat e lirisë, e dinjitetit njerëzor, të vërtetat e shtetit ligjor, të vërtetat e një rendi demokratik, e pluralizmit politik. Intelektualë dhe intelektuale, sot kudo që jeni, në Shqipëri dhe larg saj, vendi juaj u thërret, kombi juaj u thërret si luftëtarë të vërtetave, të dilni në betejë pa kthim, sepse kjo betejë është vendimtarë për shpëtimin e Shqipërisë, për shpëtimin e kombit shqiptar, që në fakt ndodhet sot në ditën më të vështirë nga pushtuesi më i egër, më shfarosës që ai ka njohur në histori, Edi Rama dhe narkoshteti i tij.

Një thirrje kam për të gjithë bizneset e vendit. Ju që jetoni çdo ditë në terrorin e taksidarëve patronazhistë, e gjobave dhe ryshfeteve të tyre, ngrihuni t’i japim fund këtij tmerri pa fund për ju dhe të dalim në rrugën e ligjit, të drejtësisë, të barazisë.Nuk ka paqe mbi krimin, nuk ka paqe mbi dhunimin e ligjit. Qepenat tuaj duhet t’i shndërroni në mjete të fuqishme, në armë kundër armikut të përbashkët, Edi Rama. Në emër tuaj, u bëj një thirrje vëllazërore mbarë fermerëve të Shqipërisë, ju të cilët jeni fermerët më të diskriminuar në Europë, jeni qytetarët më të përçmuar të këtij vendi, jeni familjet më të ndëshkuara të Shqipërisë, ngrihuni të përmbysim këtë regjim, armik i egër i qenies suaj.

Të përmbysim këtë regjim që po shfaros, po shkatërron qindra e mijëra ferma çdo ditë. Po shndërron fshatin, fermat tuaja në një shkretëtirë, në një zbrazëtirë të vërtetë. Ngrihuni se në këtë mënyrë ju mbroni jo vetëm fermat tuaja, por mbroni Shqipërinë që në shekuj e shekuj e keni sjellë mbi supe së bashku me qytetarët e tjerë me besimin e madh se do e çoni në Europë dhe nuk do e lini në kthetrat e një armiku të qenies së shqiptarëve. U bëj thirrje përsëri të gjithë shqiptarëve, të ngrihen kundër këtij regjimi që objektiv kryesor, që veprimtari kryesore, që qëllim kryesor ka vjedhjen tuaj, vjedhjen e shqiptarëve”, tha Berisha.

Ai ka hedhur akuza edhe për ministrin e ri, Blendi Gonxhe.

“Blendi Gonxhe është njeriu që përmbyti Tiranën, është hajduti që blinte pemë me 6500 euro copën. Është vjedhësi i neveritshëm që rikonstruktonte dy herë në vit zyrat e tij vetëm për të vjedhur. Është njeriu që ndërtoi në një shërbim shumë të rëndësishëm për qytetarët, sistemin më të neveritshëm të sekserëve të tij, për t’i vjedhur, për të mbushur xhepat, për të pasuruar veten dhe familjen e tij. Blendi Gonxhe është hajduti që përfundoi para pak muaj të ndërtojë ndërtesën e drejtorisë së tij me një kosto 1350 euro metrin katror. Natyrisht ai vodhi të paktën 70-80 përqind të kostos dhe asnjë diskutim me ato ai u bë ministër, sepse i ndau me bosin e tij, që ndan dhe pret, që vjedh edhe kur flen dhe ky është Edi Rama”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos