Aktori i njohur Florian Binaj është kandidatura që do të mbështetet nga Partia Demokratike në garën për Bashkinë Tiranë. Lidershipi i Partisë Demokratike në një mbledhje të zhvilluar paraditen e së hënës vendosi që në morinë e emrave të mbështesë Binajn, i cili kishte shprehur interesin e tij për të qenë në garë vetëm dy ditë më parë.
“PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”, tha kreu i PD, Sali Berisha, në konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.
Por ndryshe nga Tirana ku duket mendimet e demokratëve u kthjelluan, në 5 bashkitë e tjera ku në 9 nëntor do të ketë zgjedhje Partia Demokratike është endë konfuze dhe e paqartë për kandidatët që do të propozojë apo mbështesë. Procesi duket i ngadaltë dhe opozitarët nuk kanë ende emër konsensual, por Berisha mori shembull Vlorën për të treguar se edhe në këtë bashki ka pasur interesim për të kandiduar.
“Në rast se nga shoqëria, qytetarët e Vlorës, shoqëria civile apo fusha të tjera, do të dalin kandidatura të pavarura, dhe unë di që kanë dalë, të paktën njëri më ka dërguar mua mesazh se unë dua të kandidoj”, tha Berisha.
Paqartësi ka edhe për mënyrën e regjistrimit në garë të kandidatëve të pavarur, por që do të mbështeten nga opozita. “Modalitetin e regjistrimit, porosita sot ekipin e ekspertëve dhe juristëve që të përcaktojnë se cilat do jenë modalitetet e regjistrimeve. Kjo është, do të përcaktohen në përputhje me ligjin”.
Tashmë demokratët do të vijojnë takimet me forcat aleate dhe partitë opozitare për të zyrtarizuar emrat në të gjashta bashkitë. (A2 Televizion)