Presidenti Bajram Begaj, gjatë Samitit të Brdo-Brijunit, zhvilluar sot në Durrës, theksoi nevojën urgjente për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përballuar sfidat e sigurisë dhe për të krijuar kushte që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit nënvizoi se përparimi drejt integrimit evropian është i lidhur ngushtë me ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Rajoni ynë përballet me sfida të sigurisë që kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh. Shqipëria mbështet dialogun rajonal si element thelbësor për paqen dhe stabilitetin”, u shpreh ai.
Begaj theksoi gjithashtu rëndësinë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron mundësi konkrete për zhvillim ekonomik përmes aksesit në instrumente financiare, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta zhvillimi.
“Duhet të krijojmë kushte që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre. Kjo është jo vetëm një domosdoshmëri sociale, por edhe strategjike për të ardhmen e rajonit”, tha ai.
Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi takimin e drejtorëve të agjencive kombëtare të punësimit si një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel rajonal. Begaj po ashtu ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi ka bërë përparim të qëndrueshëm në këtë drejtim.
“Brenda një periudhe të shkurtër kemi hapur 5 nga 6 grupkapitujt negociues me BE-në. Kjo është një njohje konkrete e reformave tona në drejtim të forcimit të institucioneve demokratike, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe harmonizimit të politikave ekonomike me ato të Bashkimit Evropian”, deklaroi Presidenti.
Ai shtoi se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së deri në vitin 2030. “Integrimi në BE nuk është thjesht një objektiv politik, por një mision kombëtar. Ai pasqyron aspiratat e qytetarëve tanë dhe vlerat tona demokratike”, përfundoi Begaj. (A2 Televizion)