Berisha zotohet para himarjotëve: Rikthimi dhe legalizimi i pronës do të jenë prioritet i qeverisë së PD

Nga Arestina Skënderi
24 Prill 2025, 15:10 | Politikë

Pronat ishin kryefjalë e Sali Berishës në takimin që zhvilloi në Himarë, duke premtuar se do ta ketë prioritet të Qeverisë nëse PD kthehet në pushtet.

“Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute.”

Në takimin e Himarës kishte në krah Alfred Belerin, i cili e shoqëroi Berishën edhe gjatës ecjes në qytet. Kryedemokrati tregoi arsyen pse sipas tij Edi Rama burgosi Belerin pasi ky i fundit mori shumicën e votave të qytetarëve për të drejtuar bashkinë e Himarës nën siglën e opozitës në zgjedhjet vendore të 2023.

“Prokurorët dhe gjykatësit e kontrolluar prej tij, nuk e lejuan Belerin siç ishte lejuar çdo tjetër i votuar më përpara, nuk e lejuan që të vinte të bënte betimin dhe shkaku ishte vetëm një: se Beleri nuk pranoi të kandidonte për partinë e tij. Se Beleri i tha se unë jam i djathtë dhe unë kam parimet e mia, dhe ato parime nuk putheshin kurrë me parimet e atij që kërkon t’u vjedhë tokat, të plaçkitë tokat tuaja, t’u zbojë ju nga shtëpitë tuaja.”

Kundërshtarit të tij politik Edi Ramës i veshi akuzën e vjedhjes së pronave në Gjipe të Himarës.

“I them Vangjel Tavos, misioni yt... bravo, ashtu është. E meriton plotësisht neverinë tuaj. E meriton sepse erdhi vetëm misionar i qëllimeve mafioze të Edi Ramës, i cili me familjen e tij do të plaçkisë tokat e Manastirit të Skutarasë, do të plaçkisë Gjipenë, në një kohë kur familja e tyre ka pasur, sipas dëshmive, katër dhi dhe tre derra. Baba Piloja siç i thotë Edi Rama, që ne nuk kishim tokë fare, kurse tani na del me 224 mijë metra katrorë tokë dhe thotë që e kam në majë të malit, toka del buzë detit. Edi Rama, nuk do e gëzosh kurrë atë tokë.”

Një premtim e kishte edhe për banorët e Lumit të Vlorës, të cilëve Berisha i garantoi se askush nuk do mund t’i marrë as edhe një litër ujë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos