Qarku i Lezhës përbëhet nga 3 bashki, atë të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës.
Mbi 164 mijë qytetarë janë thirrur në detyrë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në legjislaturën e re të Parlamentit të Shqipërisë. Beteja elektorale bëhet për 7 mandate deputetësh. Me sistemin e ri zgjedhor, 2 kandidatë renditen në listë të mbyllur dhe 7 të tjerë garojnë në listë të hapur për të siguruar një ulëse në Parlament.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Qarku i Lezhës ka 245 qendra votimi dhe 4 Zyra të Administrimit Zgjedhor, ku dy prej tyre janë në qytetin e Lezhës, një në Kurbin dhe një tjetër në Mirditë.
Në garë janë gjithsej 11 parti politike apo koalicione parazgjedhore me një total prej 99 kandidatësh. Një risi e këtyre zgjedhjeve parlamentare është edhe përfshirja e diasporës në proces. Për Qarkun e Lezhës kanë aplikuar në total 14 753 emigrantë për të marrë pjesë në votime. Historikisht, më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote kanë bojkotuar procesin: në vitin 2021 pjesëmarrja ishte vetëm 44 përqind, njësoj edhe në zgjedhjet e katër viteve të mëhershme, ndërsa pjesëmarrja më e lartë ishte në vitin 2013, ku 51.4 përqind e qytetarëve ushtruan të drejtën e votës, ndërsa në zgjedhjet e 2009 vetëm 48 përqind ishte pjesëmarrja.
Për të kaluar nga rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, mandatet e deputetit janë ndarë në këtë mënyrë: në vitin 2021 Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim mori 4 mandate, kundrejt 3 të fituar nga Partia Socialiste.
Në 2017 ndarja ishte 3 PD, 3 PS dhe 1 LSI, në 2014 PD fitoi 4 mandate, PS 2 dhe LSI mori një ulëse.
Ndërsa në 2009 ndarja ishte 4 mandate për PD dhe 3 për PS.
Qarku i Lezhës ka një popullsi prej 99 mijë personash, sipas Censit të vitit 2023, duke shënuar rënie të konsiderueshme krahasuar me disa vite më parë. Mbi 60 përqind jeton në zona rurale dhe pjesa tjetër në ato urbane. Ekonomia përbëhet kryesisht nga turizmi, agroturizmi, por edhe industria e lehtë.
Qarku i Lezhës mori dhe një vëmendje të madhe ndërkombëtare pas memorandumit të firmosur nga kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni për ndërtimin e një kampi refugjatësh në Gjadër për vendosjen e emigrantëve të paligjshëm nga Italia për në Shqipëri. (A2 Televizion)