Mbledhje urgjente për sigurinë, vrasja e gjyqtarit, kërkohet thirrja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Nga Igli Çelmeta
8 Tetor 2025, 18:53 | Kronikë

Të paktën 85 prokurorë dhe magjistratë i janë drejtuar me një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar zhvillimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i mbledhjes është diskutimi i çështjeve që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e magjistratëve, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës. Në kërkesën drejtuar kryeprokurorit të përgjithshëm, prokurorët theksojnë se ngjarja tragjike ka nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë. Ata nënvizojnë se është e domosdoshme thirrja e mbledhjes për të koordinuar një përgjigje të unifikuar ndaj rreziqeve që prekin sigurinë e magjistratëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.

Sipas kërkesës, qëllimi i mbledhjes është shqyrtimi i gjendjes aktuale të sigurisë në ambientet e prokurorive dhe forcimi i garancive për mbrojtjen e jetës, integritetit dhe pavarësisë funksionale të magjistratëve. Prokurorët propozojnë disa pika që duhet të trajtohen në mbledhje, përfshirë. sigurinë fizike në ambientet e prokurorive, duke përfshirë kontrollin e hyrjeve, pajisjet e sigurisë dhe praninë e forcave të policisë gjyqësore apo të Policisë së Shtetit. Magjistratët kërkojnë kushtet e transportit dhe lëvizjes së prokurorëve, si dhe nevojën për kompensim ose mbështetje institucionale për transportin dhe akomodimin, shkruan A2 CNN.

Po ashtu si kërkesë kanë edhe rishikimin e standardeve të sigurisë në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, në dokument kërkohet që të merren masa konkrete për garantimin e kushteve minimale të sigurisë, konfidencialitetit dhe dinjitetit në ushtrimin e detyrës.

Prokurorët kërkojnë që në mbledhje të trajtohet edhe çështja e gjuhës së urrejtjes ndaj magjistratëve dhe prokurorëve, e manifestuar herë pas here nga përfaqësues të politikës, mediat dhe portalet online. Ndërkohë, pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, nesër pritet të zhvillohet edhe Mbledhja e Gjyqtarëve të Shqipërisë, ku do të diskutohet për masat e sigurisë në institucionet e drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos