Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka shprehur mbështetjen e tij për Florian Binajn në garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se kandidatura e aktorit ka arritur të bashkojë shumë njerëz me qëndrime të ndryshme politike.
Në një intervistë për A2 CNN me gazetarin Pandi Gjata, Shabani u shpreh: “Florjan Binaj na ka bërë të gjithëve bashkë, edhe me njerëz që në kushte të tjera nuk do të bashkëpunonim. Unë kam qenë sistematikisht kundër Sali Berishës dhe nuk do të punoja me të apo me ish-ministrat e tij, por kjo nuk më pengon të mbështes Florjanin.”
Shabani tha se mbështetja e tij për Binajn lidhet me programin konkret për qytetarët e Tiranës, jo me afërsi politike. Ai theksoi se çështjet që Nisma “Thurje” ka mbrojtur në Këshillin Bashkiak duhet të jenë pjesë e programit të kandidatit, si reformimi i transportit publik, ushqimi në shkolla, dhe mbështetja për pensionistët e studentët.
“Qytetarët e Tiranës na kanë dhënë votën për këto tema konkrete, për transportin që duhet t’u hiqet monopoleve private, për shërbimet që lehtësojnë jetën e të moshuarve dhe studentëve, dhe për banesat publike”, deklaroi Shabani. (A2 Televizion)