Beteja për Qarkun e Shkodrës/ Përballja për 11 mandate mes PD-PS dhe "faktorit" Tom Doshi

Nga Armand Bajrami
11 Maj 2025, 11:24 | Politikë

Beteja elektorale e 11 majit në Qarkun Shkodër bëhet për 11 karrike në Kuvendin e Shqipërisë.

Në historikun e paskomunizmit, qarku njihet si një bastion i së djathës, por kjo panoramë është krisur në zhvillimet e katër viteve të fundit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, 6 nga 11 deputetët e qarkut me pesë bashki në përbërje, atë të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukës, Vaut të Dejës dhe Fushë Arrëzit, ishin prodhim i opozitës së bashkuar.

Ndërsa e majta mundi të çojë në sallën e Kuvendit 5 ligjvënës, 3 nga të cilët të Partisë Socialiste dhe 2 nga Partia SocialDemokrate e Tom Doshit. Peshorja politike e qarkut lëvizi në vitin 2022, kur Partisa Socialiste “rekrutoi” deputetin Agron Çela, deputet që kishte fituar mandatin nën siglën e LSI.

Tronditja e radhës ishin zgjedhjet lokale të 2023-shit, kur socialistët fituan për herë të parë Bashkinë e Shkodrës me kandidatin Benet Beci, një tjetër ish-opozitar, duke rritur në këtë formë ndjeshëm ndikimin elektoral në qark. Ndërkohë, PSD-ja e Tom Doshit mbetet faktor me peshë në pushtetin vendor, e shfaqur kjo në disa raste në futje në ngërç të vendimarrjeve në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.

Drejtimin e fushatës zgjedhore për 11 majit 2025 Partia Socialiste ia besoi Benet Becit. Në listën e mbyllur spikat Marjana Koçeku, e njohur si Neomalsorja dhe Xhenis Çela, vajza e ish-deputetit të LSI-së, Agron Çela. Në kahun tjetër politik, lista e mbyllyr mban emrat e Luçiano Boçi dhe besnikët Greta Bardeli dhe Ramadan Lika.

Në Qarkun Shkodër janë 8 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe një total prej 405 qendrash votimi. Në listat e mbyllura për subjektet politike zgjedhësve ju renditen 4 kandidatë.

Sipas KQZ, numri i zgjedhësve në Qarkun Shkodër është 261 579 vetë, ndërsa votat e pritshme nga diaspora, referuar numrit të regjistrimeve, janë gati 17 450. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos