Bllokohet Tirana, Bumçi: Mesazhi ka ardhur i qartë, Shqipëria si Bjellorusia e Tunizia

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2024, 12:35 | Politikë

Aldo Bumçi, anëtar i kryesisë dhe i Këshillit të PD-së, foli në Ditarin e mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN për protestën që do të mbajë këtë të hënë në Tiranë opozita, nga ku tregoi risitë e kësaj proteste.

“Risia është që demokratët janë të vendosur, që beteja e tyre dha fryte pavarësisht çdo përpjekjeje për ta shuar këtë. Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për PD-në, pasi ka qëndruar në kushte të paimagjinueshme. Aktiviteti i qytetarëve ka qenë i paimagjinueshëm. Ne kemi zhvilluar protestë të përnatshme te banesa e Berishës, janë zhvilluar mbi 35 protesta te Bashkia, kemi pasur protesta të mëdha nga 20 shkurti. Kjo energji protestash tregon se qytetarët janë në një pikë vlimi ose në një pikë ku nuk mund të pranojnë më Edi Ramën si kryeministër të vendit.

Shqipëria nuk është bërë regjim në një muaj, por ishte kjo betejë e qëndrueshme e përditshme, në parlament, të gjitha këto sollën këtë realitet ku janë miratuar 3 rezoluta. Pra, të vërtetat janë dhe mbështeten nga shumica e shqiptarëve, prandaj Rama bën zgjedhje fasadë. Mesazhi ka ardhur i qartë je si Bjellorusi dhe Tunizi. Në Bjellorusi është miku i Putinit, ndërsa në Tunizi është e gjithë opozita në burg”, tha Bumçi.

Ai komentoi edhe mbylljen e TikTok, duke thënë se Rama e mori këtë vendim pasi, sipas Bumçit, PD del në këtë rrjet sociale me diferencë të madhe nga PS-ja. “Mbyllja e TikTok nuk bëhet për të parandaluar ngjarje të rënda siç ishte konflikti mes adoleshentëve, por bëhet për të mbyllur gojën e një shoqërie që do të jetë e lirë. Në të dhënat e fundit, në TikTok ka një diferencë të madhe në audiencë dhe në postime mes PD-së dhe PS-së deri në 20 pikë përqindje diferencë”, tha Bumçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos