
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë publike letrën e shkruar me shkrim dore, me të cilën Ilir Meta njoftonte avokatin Kujtim Cakrani për ndërprerjen e bashkëpunimit, duke sqaruar se vendimi lidhet vetëm me organizimin e mbrojtjes ligjore.
Në letrën e publikuar, Ilir Meta i shpjegon avokatit Kujtim Cakrani se, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe nevojës për një angazhim të përditshëm, ka vendosur të ketë një avokat të dedikuar ekskluzivisht për mbrojtjen e tij, veçanërisht në procesin pranë GJEDNJ-së.
Ai kërkon që dokumentacioni dhe detyrimet përkatëse t’i dorëzohen Tedi Blushit, ndërsa njofton se ndryshimi i mbrojtjes do t’i komunikohet edhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në postimin që shoqëron letrën e kreut të partisë së tij, Blushi tha se Meta nuk kishte dashur ta bënte publike këtë çështje për arsye etike dhe integriteti, por u detyrua ta publikonte për t’i dhënë fund, sipas tij, spekulimeve.
“Presidenti i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta, nuk ka dashur të bëjë publike një çështje që nuk është interes publik, por që ka pasur lidhje vetëm me marrëdhëniet e tij me ish-avokatin e tij, z. Kujtim Cakrani. Megjithatë, për t’i dhënë fund çdo spekulimi, jam i detyruar të bëj publik njoftimin që, me porosi të z. Meta, i kam dërguar 24 orë para avokatit Cakrani”, shkruan Blushi.
Ai shton se çdo interpretim tjetër synon të largojë vëmendjen nga protestat për mbrojtjen e Zvërnecit dhe zonave të mbrojtura, si edhe nga pesë kërkesat e protestuesve.
Blushi akuzon gjithashtu SPAK-un dhe GJKKO-n se prej dy muajsh kanë përdorur, sipas tij, mjete procedurale në kundërshtim me ligjin për të mos i vënë në dispozicion Metës dokumentacionin e nevojshëm për nisjen e procedurave në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. (A2 Televizion)