“Sali Berishës i është hequr non grata”, Mediu tregon vizitën në SHBA: Ishte me ftesë zyrtare

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 22:47 | Politikë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se vizita e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë me ftesë zyrtare.

“Vizita ka qenë me një ftesë zyrtare të Partisë Republikane amerikane, e cila është pjesë e Internacionales Demokratike, ku edhe Partia Republikane shqiptare dhe Partia Demokratike janë anëtare. Bashkë me zotin Sali Berisha, ne jemi pjesë e ekzekutivit të IDU-së dhe jemi ftuar nga IDU-ja si dy parti të ndryshme shqiptare për të marrë pjesë në Konventën Republikane. Pra, ftesa ka qenë tërësisht zyrtare. Viza që ka marrë zoti Berisha ka qenë një vizë zyrtare. Këto broçkullat “u hoq non grata”, “s’u hoq non grata” vijnë nga njerëz që duan të flasin pa menduar dhe pa shikuar realitetin ashtu siç është. Askush nuk mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur është “non grata”. Dhe në vizën e zotit Berisha është e qartë dhe e shkruar që me vendim të sekretarit Rubio hiqet sanksionimi që ka pasur më përpara. Është e shkruar në vizë”, tha Mediu në studion e “ÇdoKënd” me Merita Haklajn, në A2CNN.

“Por, çfarëdo që të them unë, njerëzit do vazhdojnë të flasin. Ka njerëz të marrë në këtë vend, ka edhe njerëz që e bëjnë në mënyrë të qëllimtë. Ne ishim në avion me zotin Berisha, kur mua më vjen një mesazh dhe më thonë: “Ore, keni ndaluar në Europë se zoti Berisha është pa qejf?”. Domethënë, deri këtu kanë arritur. Pastaj, kur zbritëm u tha se na ndaloi policia. Të gjitha imagjinatat e mundshme…”, shtoi Mediu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos