Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar rishikimin e taksave dhe tarifave që rëndojnë mbi çmimin e karburanteve në Shqipëri. Në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN, ai tha se qytetarët po paguajnë kosto të larta, që nuk lidhen me produktin.
Duke e vënë theksin te taksa e qarkullimit, ai tha se ajo nuk ka lidhje me përdorimin e naftës në bujqësia, ku Braçe thekson se fermerët vijojnë të paguajnë taksë qarkullimi edhe për naftën që përdoret për punimin e tokës. Socialisti apelon se tashmë ka ardhur momenti që të merret seriozisht në konsideratë këto taksa e tarifa.
“E para kemi modelin e tregut dhe e dyta kemi problemin e çmimit. Me çmimin e gazit nuk merret askush. Duhet të jenë të treja në vëmendje. Ne e kemi ngarkuar jashtë mase çmimin e hidrokarbureve në këtë vend me taksa dhe tarifa që nuk kanë lidhje me produktin. Nuk kanë lidhje me produktin. Taksa e qarkullimit nuk ka lidhje me produktin. Dhe më kujtohet që e kam thënë këtë që kur kam qenë në opozitë. E kam thënë edhe kur kemi qenë në pushtet edhe kur u bë nga 7 lekë në 27 lekë. Sidomos për bujqësinë që vazhdon të paguaj taksë qarkullim taksë qarkullimi për të punuar tokën. Ashtu siç veç taksës së qarkullimit kemi edhe tarifa dhe taksa të tjera që janë brenda çmimit të karburanteve që janë tarifa shërbimi për shërbime të caktuara siç është edhe markimi i naftës e kështu me radhë. Tani ka ardhur momenti që të merremi seriozisht me të gjitha këto taksa dhe tarifa që janë brenda. Jo vetëm për të caktuar çmimin. Është momenti që të merremi me këtë gjë, se realisht po paguajmë shtrenjtë”.
Në një kohë kur leku është forcuar ndjeshëm përballë euros, Braçe ngriti shqetësimin për çmimet e produkteve ushqimore të importuara. Sipas tij, kjo duhet të të reflektonte në uljen e çmimeve për konsumatorët, por kjo nuk po ndodh.
“Po ju marr ushqimet e përpunuara, të fabrikuara që vijnë nga importi. Kemi një forcim të lekut përkundrejt çdo valute tjetër. Që do të thotë sa herë ne importojmë kjo gjë duhet të reflektohet në çmimet. Por nuk përthyhet si efekt pozitiv konsumatori. Kështu është për vajin, për sheqerin, për miellin që s'prodhohet në vend, për grurin, për makaronat, orizin e çdo produkt tjetër që ne na vjen nga importi. Pse s' reflektohet për qytete të mëdha si Tirana?”, u shpreh Braçe.
Ai propozoi gjithashtu masa mbështetëse për shtresat në nevojë, përfshirë skema me kupona për ushqimet bazë, ndërsa theksoi se shteti duhet të ndërhyjë për të mbrojtur familjet me të ardhura të ulëta nga rritja e kostos së jetesës.
“Tirana paguan edhe kosto të fshehta si kosto e qirave. Ky është një tjetër problem që të merresh seriozisht dhe me tregun e qirave ditore afatshkurtra që janë problemi kryesor në këtë rast dhe pastaj me qiratë afatgjata në këtë qytet. Janë dy-tre operatorë që kanë përqëndruar tregun. Duhet konkurrenca, por në anën tjetër ti duhet të ndërmarrësh edhe veprime të tjera të shpejta për të mbrojtur të pamundurit nga kjo gjë”.
(A2 Televizion)