Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se shqetësimet e SHBA-së për ekspansionin e influencës ruse dhe kineze në Ballkan nuk po lexohen siç duhet nga Shqipëria.
“Ka disa çështje të cilat ne shqiptarët duhet të dimë t'i lexojmë. Po ta marrim në pikëpamje gjeopolitike, SHBA ngre shqetësimin e ekspansionit dhe influencës ruse dhe kineze në rajonin e Ballkanit. Kjo influencë është e lidhur shumë me Serbinë, si nga pikëpamja ushtarake, nga pikëpamja gjeopolitike dhe ambiciet që ata kanë, sidomos në raport me Kosovën. Dhe e gjithë gjuha e Vuçiçit ka qenë mbrojtja e interesave të serbëve, pavarësisht se ku jetojnë ata. Për t'iu rikthyer idesë së Serbisë së Madhe është e njëjta narrativë që ka përdorur dhe Putini në Ukrainë. Përballë kësaj, shqiptarët janë sjellë në mënyrën më naive dhe më të çuditshme, krejt të përçarë. Zoti Rama mban marrëdhënie fantastike me Serbinë, madje tenton që rrugëtimin e vet europian ta lidhë dhe ta kanalizojë nëpërmjet Serbisë, edhe pse është vend anëtar i NATO-s dhe në një shkëputje totale nga marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës apo me faktorin politik shqiptar në rajon”, tha Mediu në studion e “ÇdoKënd” me Merita Haklajn, në A2CNN.
“Ne duhet të kuptojmë që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësim për rritjen e influencës së Rusisë në rajon, nuk është vetëm ajo që ata shfaqin në mënyrë të hapur me Serbinë. Këtu ne duhet të ishim pak më të zhdërvjellët dhe më të mençur për të analizuar qëndrimin amerikan dhe për ta përcjellë pastaj si një raport i cili kërkonte zgjidhje. Nuk ka ndodhur. Pra, nëqoftëse flasim për ndikim të Rusisë, e cila padyshim ka një peshë jo të vogël në gjeopolitikë dhe sidomos Kina, ne duhet të shikonim ku përplaseshin interesat tona si shqiptarë në raport me këtë çështje dhe si mund t'i bëhej ballë. Dhe elementi kryesor që ne duhet të trajtonim në mënyrë të përbashkët ishte ku cenoheshin interesat e Kosovës? Pse u krijua një lloj stanjacioni në dialog? Pse kjo çështje u la nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dirigjohej nga Bashkimi Europian? Thënë me pak fjalë, ne kemi politikë të jashtme tërësisht çoroditur. Kemi një lloj folklorizmi patriotik, pa arritur që të bëjmë një analizë të qartë për atë çka duhet të bëjmë, pa përfillur edhe mendimin e ekspertëve. Në këtë vend ka ardhur që çdo gjë duhet ta vendosë i pari. Po nuk e pëlqeu i pari, nuk mund të vazhdojmë tej. Jemi kthyer më keq sesa në kohën e diktaturës”, shtoi Mediu. (A2 Televizion)