Pse do Erion Braçe të drejtojë Tiranën? Socialisti “rebel” sfidon Ramën: Do të bëj legalizimet

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 22:10 | Politikë

Deputeti socialist Erion Braçe ka konfirmuar interesin e tij për të garuar për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka kërkuar që Partia Socialiste të zhvillojë një garë të hapur për përzgjedhjen e kandidatit. Në Çdo kënd me Merita Haklajan në A2 CNN ai tha se nuk mund të pranojë një kandidat pa garë që del nga njoftimet, pasi sipas tij PS rrezikon të humbë elektoratin ditën e zgjedhjeve.

“Duhet të ketë një garë ku energjizohet partia dhe ku thirren socialistë, simpatizantë të tyre dhe çdokush tjetër i majtë, që mund të na ketë edhe luftuar, mund të ketë qenë edhe kundër si i majtë për qëndrime që ne kemi mbajtur, për politika që ne kemi bërë, për mënyrën se si ne kemi ushtruar pushtetin, të vijë të votojë. Dhe kandidat mund të jetë kushdo më mund të jetë politik, mund të jetë deputet, mund të mos jetë fare deputet, mund të jetë një qytetar i angazhuar, mund të jetë një i majtë. Dhe kjo gara të nxjerri më të mirin. Të nxjerrë më të mirin dhe unë jam gati që në rast se unë nuk dal nga gara, por patjetër të mbështes cilindo që del nga gara. Por unë nuk mund të pranoj më që kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës të jetë një njoftim, një njoftim atje që ngjitet te muri i kryesisë dhe thuhet ky do jetë. Jo kështu jo. Nuk shkon më kjo. Duhet t'i japim mundësi njerëzve për t'i patur me vete pastaj edhe ditën e zgjedhjeve se kështu me njoftime  mund t'i humbim ditën e zgjedhjeve të gjithë këta njerëz që ne nuk i pyesim apo nuk i marrim votën për kandidatin”, u shpreh Braçe.

I pyetur nëse ka mbështetjen e kryeministrit Edi Rama për një kandidim të mundshëm në Tiranë, Braçe tha se nuk ka zhvilluar një bisedë të tillë me kreun e qeverisë, por shtoi se çdo anëtar i PS-së ka të drejtën jo vetëm të zgjedhë, por edhe të zgjidhet.

“Pyesni atë. Unë s'e kam marrë përsipër ta pyes. E kam mbështetjen tënde apo jo. S' kemi bërë këtë bisedë akoma me thënë të drejtën. Por një gjë, një gjë dua, dua ta them. E para gjithë këto vite, pjesë e imja është, është e brendshme kjo gjëja. Kështu kam lindur. Kokëfortësinë e kam në atë nivel që duhet për të tilla ngjarje, por këmbëngulja është ajo që kam fituar gjatë gjithë këtyre viteve. Mua më intereson të këmbëngul deri për këtë punën që bëj, deri në zgjidhjen e çdo problemi që kam ngritur apo çdo propozimi të bërë për të marrë një përgjigje siç thotë edhe kryeministri qoftë edhe jo ose po në punën që bëj. Kurse në këtë pikë i referohem kushtetutës edhe rregullave të brendshme të Partisë Socialiste. Individët brenda PS-së nuk operojnë me një sens. Pra që vetëm zgjedhin, po edhe zgjidhen. Thotë kushtetuta dhe rregullorja e brendshme, rregullat e brendshme të PS-së. Pra i kemi të dyja edhe të drejtën për të zgjedhur për t'u zgjedhur. Ky funksionimi me një këmbë i bën dëm partisë, i bën dëm demokracisë së brendshme të partisë. Nuk më bën dëm mua fare, i bën dëm partisë”.

Duke i mëshuar Tiranës dhe nevojave që ka kryeqyteti, Braçe theksoi se duhet më shumë decentralizim dhe kalim i disa funksioneve nga qeveria qendrore te pushteti vendor. Sipas tij, fusha si arsimi, shëndetësia dhe procesi i legalizimeve mund të menaxhohen më mirë nga bashkia.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës mund të përshpejtojë procesin e legalizimit të mijëra objekteve që ende presin zgjidhje.

“T'ju marr çështjen e legalizimit që duhet të jetë një funksion që duhet t'ju kalojë bashkive. Sa më parë të jetë e mundur. Në Tiranë kanë mbetur ende pa legalizuar edhe 50 mijë ndërtesa. Patjetër. Bashkia e Tiranës mund ta bëjë më lehtë edhe shumë më shpejt sesa kadastra këtë punë. Për më tepër që në koncept nuk shkon. Kadastra nuk duhet të jetë ajo që jep titull pronësie. Kadastra duhet të jetë thjesht banka që administron titujt e pronësisë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos