Ish-ministri i PD, Aldo Bumçi, është shprehur se drejtësia në Shqipëri ka pësuar një rënie të madhe në të gjitha aspektet, pas nisjes së Reformës.
Komentet Bumçi i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se në gjykata sot ka rreth 140 mijë çështje të prapambetura.
Ai, duke marrë si shembull një pensionist të cilit nuk i njihen vitet e pensionit, tha se i moshuari në Shqipëri ndërron jetë para se të dalë vendimi i gjykatës për çështjen e tij.
“Ku jemi ne sot. Nga viti 2015, sipas studimit, Shqipëria ka përkeqësim në të gjitha fushat e drejtësisë. Ka sot mbi 140 mijë çështje të prapambetura, që po shtohen nga viti në vit. Ka 30 % më shumë vitin që kaloi se para 2 vitesh.
Ky është një dëm i pallogaritshëm për qytetarët, pasi ty nëse të merret prona, apo të vendoset një gjobë e padrejtë, ti do shkosh në gjykatë. Por gjykatat ku ti shkon, kanë rreth 60 mijë çështje shkalla e parë dhe e dytë. Pensionet, marrim gjënë më të thjeshtë. Nuk të njihen vitet. Ti ke ndërruar jetë kur vjen vendimi i gjykatës. Të ka falimentuar biznesi”, tha Bumçi, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)