Tabaku: Shqiptarët po varfërohen çdo ditë, stabiliteti i qeverisë ekziston vetëm në letra

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2025, 08:56 | Politikë

Tabaku: Shqiptarët po varfërohen çdo ditë, stabiliteti i

“Stabiliteti i pretenduar nga qeveria nuk ekziston në xhepat e qytetarëve, por vetëm në letrat e ministrive, ndërsa faktet, tregojnë një realitet krejt tjetër”. Kështu është shprehur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një reagim për situatën ekonomike në vend.

Në një video-mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Tabaku thekson se 55% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte varfërie, për shkak të rritjes së çmimeve dhe taksave.

 “EUROSTAT tregoi që 55% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte varfërie, nuk e mbyllin dot muajin. 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime. Kjo situatë është pasojë e taksave të larta, rritjes së çmimeve me 30% dhe zhvlerësimit të euros, që ka goditur më fort shtresat e mesme dhe të ulëta”, shprehet Tabaku.

Deputetja demokrate nënvizon se ekonomia shqiptare po varet gjithnjë e më shumë nga sektori i ndërtimit, ndërsa sektorët që krijojnë punësim dhe mirëqenie – si bujqësia, prodhimi dhe energjia – janë lënë në harresë.

“Ekonomia shqiptare nuk prodhon më! Për çdo 1% rritje ekonomike, punësimi rritet me vetëm 0.1%. Kjo është prova që kemi një ekonomi të pakicës, që nuk krijon vende pune dhe nuk gjeneron mirëqenie për qytetarët,” theksoi Tabaku.

Ajo bëri thirrje që realiteti ekonomik i vendit të ndryshojë, duke u vendosur në shërbim të shumicës së shqiptarëve që përballen çdo ditë me koston e jetesës dhe pasigurinë ekonomike.

“Këtë realitet duhet ta ndryshojmë. Ekonomia duhet të punojë për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar që përfiton nga pushteti,” përfundoi Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos