“Misioni im ta bëj Shqipërinë të jetueshme”, Berisha nga Dibra: Nuk kam ambicie për para e luks

Nga A2 CNN
19 Prill 2025, 12:57 | Politikë

“Misioni im ta bëj Shqipërinë të jetueshme”,

Nga Dibra, lideri i opozitës Sali Berisha prezantoi programin e koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”, të cilin e cilësoi si koalicionin më të madh politik në 32 vitet e fundit, me 25 parti të bashkuara. Ai theksoi se me misioni i tij është i qartë për të ndryshuar realitetin shqiptar.

“Vij tek ju me bindje dhe vendosmëri, me misionin për të bërë gjithçka që kjo situatë të përmbyset. Që Dibra, që Shqipëria të shndërrohet në vendin e ëndrrës shqiptare. Që Dibra, që Shqipëria të bëhen të jetueshme dhe të mos braktisen si toka të shkreta. Miqtë e mi, në këtë moshë, në këto vite, në vjeshtën time të mrekullueshme, nuk më duhet pushteti. Nuk kam ambicie për para, as për luks, por kam një ambicie, por kam një qëllim, por kam një mision, të bëj gjithçka për të ndryshuar jetën tuaj. Për të përmbushur me nder para jush, për të përmbushur me faqe të bardhë para jush këtë mision, unë kam edhe atë që të tjerët ma sulmojnë. Kam një eksperiencë, e cila më bën mua të mundur të mbaj çdo premtim timin, të realizojmë çdo premtim. Dhe u jap fjalën se ky program do jetë realitet për ju”.

Berisha premtoi se programi i tyre do të përqendrohet tek njerëzit në nevojë dhe do të sjellë ndryshime të prekshme brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

“Nga e nisim ne këtë program? E nisim nga ata të cilët janë më në nevojë. Nga ata të cilët jetojnë duke folur me vete për shkak të skamjes dhe mjerimit. E nisim pra për ta bërë këtë shoqëri më të drejtë, më njerëzore, më humane, më të barabartë. Ne kemi çdo potencial, por kemi edhe eksperiencën që ta bëjmë këtë me shpejtësi të madhe. Ta bëjmë këtë brenda 100 ditëve. Ata që mund të pyesin, po ç’janë këto çudira, u them nuk ka asnjë çudi".

Sipas tij, qeveria e ardhshme do të rikthejë paratë e vjedhura te qytetarët, duke zbatuar parimin “paratë qytetarëve, jo të qeveritarëve”.

“Qeveria e ardhshme, brenda 100 ditëve do u kthejë paratë e vjedhura shqiptarëve. Miq, filozofia jonë, thelbi i këtij programi, bazohet në parimin e thjeshtë, paratë qytetarëve, paratë qytetarëve, paratë qytetarëve! Po këtu, Sali Berisha nuk ka asnjë shpikje, asnjë zbulim. Sali Berisha nuk bën gjë tjetër vetëm zbaton atë parim të hekurt që është i detyrueshëm për çdo qytetar të përgjegjshëm”.

Berisha përmendi gjithashtu rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe rikthimin e mijëra emigrantëve shqiptarë për të investuar në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos