
Një akt tradhtie ndaj idealeve të demokracisë, e ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha emërimin e ish-deputetit demokrat Dashnor Sula në postin e kryeinspektorit të përgjithshëm. I pyetur nga qytetarët në rrjetet sociale, kreu i selisë blu tha se ky është një veprim i ulët dhe kriminal për korruptim të eksponentëve të opozitës.
“Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut, quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë. Të tradhtosh ti ata, të cilët burra dhe gra fisnikë, kanë 12 vite që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me të gjithë gabimet që mund të kesh bërë, me të gjithë të tjerat, por të mbështesin si dritë, si shpresë për ta, dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës, dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë”.
Ai garantoi se Partia Demokratike do të ndahet nga njerëzit që bashkëpunojnë me Ramën, duke i përjashtuar nga radhët e saj.
“Por nga ana tjetër, ju garantoj se PD, me largimin... dhe unë në rast se e keni vënë re në diskutimet e mia, në mënyrë të përsëritur kam ngritur që ne duhet të ndahemi nga këta njerëz. Kam arritur në një përfundim. Kam konstatuar se një nga drejtimet më themelore të Edi Ramës ka qenë korruptimi i eksponentëve të opozitës. Një veprimtari e ulët. Një veprimtari e turpshme, kriminale, kur një qeveri përdor mjetet e saj për të blerë, për të korruptuar përfaqësuesit e opozitës vetëm në funksion të pushtetit të vet. Ndaj dhe ne, çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjendet Edi Ramës në krah? E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai. Çfarë e shtyn, e thashë edhe para disa ditësh, doktorin 32 vjet mjek, thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krah të Salianjit të krimit, të bandave, dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in. Nuk humbasim ne nga këta, përkundrazi u them ju se ne do ndahemi me këta. Ne nuk duam më kurrë në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës. Po një gjë, këta dallojnë nga ata që e kanë ndjekë nga partia e vet. Këta gëlltisin tradhtinë, jo ndaj meje, nuk ka lidhje me mua fare, ndaj teje si qytetar në radhë të parë që i ke besuar dhe i ke ndjekur. Dhe del tani në ditën më të zezë, kur po i dridhen këmbët, shkon dhe i bëhesh patericë. Kjo është histori turpi”.
(A2 Televizion)