
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, deklaroi se shteti shqiptar nuk ka qenë kurrë në shërbim të qytetarëve, duke e cilësuar atë si “njerk” dhe jo “babë” për shqiptarët.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Shehi tha se qytetarët nuk e duan shtetin, pasi sipas tij ai nuk u ka dalë asnjëherë në mbështetje.
“Shteti ynë ka qenë njerk për shqiptarët, nuk ka qenë babë. Tani, pse nuk e duan shqiptarët shtetin? Me thënë të drejtën nuk e duan. Asnjëherë nuk i ka dalë për zot shteti shqiptar. Që në kohën e Turqisë, ose të vinte gjobën, taksën, ose të merrte ushtar; në kohën e Enver Hoxhës të fuste në burg. Sot shteti i vë gjobën biznesit, i çon 40 inspektorë ta grabisin. Atij që është fukara vazhdon ta lërë fukara me atë 200 mijë lekshin”, u shpreh ai në Off The Record me Andrea Danglli.
Shehi theksoi se qytetarët do ta donin shtetin nëse ai do të funksiononte si mbështetje reale për jetën e tyre, duke garantuar shërbime dhe siguri sociale.
“Shteti duhet të jetë babë që të fillojmë ta duam, ta shohim veten dhe të identifikohemi me të. Kam fëmijën sëmurë, duhet të më dalë për zot shteti. Kam gruan pa punë, duhet të më gjejë një punë shteti shqiptar. Do të çoj vajzën në shkollë, duhet të ma bëjë shteti shqiptar. Por nëse shteti është në shërbim të disa grupeve, këtë punë bën shteti shqiptar”, deklaroi Shehi. (A2 Televizion)