"Rusia nuk po fiton, të shtojmë presionin", BE krah Ukrainës në 4-vjetorin e luftës, Zelensky: Gjithçka për paqen

Nga Rosalba Bejdo
24 Shkurt 2026, 23:37 | Bota

Liderët evropianë u zotuan se nuk do ta braktisin Ukrainan, teksa përvjetori i katërt i luftës së nisur nga Rusia u përkujtua sot, nën hijen e ndasive mes aleatëve kyç të Kievit. Zyrtarë të lartë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin finlandez Alexander Stubb dhe kryeministren daneze Mette Frederiksen, udhëtuan në Kiev për përvjetorin, por atyre nuk iu bashkuan udhëheqës të disa prej shteteve kryesore të Perëndimit.

Në mbledhjen e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Kiev, liderët e Francas, Gjermanias dhe Britania e Madhe morën pjesë përmes videolidhjes. Kryeministri britanik Keir Starmer hodhi poshtë pretendimet se Rusia ishte duke fituar luftën.

“Çfarëdo që Vladimir Putin i thotë vetes dhe popullit të tij, Rusia nuk po fiton dhe ne duhet ta zhvendosim narrativën në atë drejtim me më shumë forcë dhe vendosmëri”, tha Starmer.

Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi luftën si një “dështim të trefishtë” për Rusinë, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz vuri theksin te nevoja për të shteruar fondet e luftës ruse përmes një pakete të 20-të sanksionesh, shkruan A2 CNN.

“Duhet të jemi shumë të qartë, kjo luftë do të përfundojë vetëm kur Vladimir Putin ta kuptojë se nuk mund të fitojë. Kjo është arsyeja pse duhet të rrisim presionin mbi Rusinë”, u shpreh Merz.

Në Kiev, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian do ta përmbushë, në një mënyrë ose në një tjetër, zotimin për t’i garantuar Ukrainës huanë prej 90 miliardë eurosh. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të arritur drejtësi dhe paqe, ndërsa kërkoi rol më të madh të Evropës në negociatat e paqes.

Në një videomesazh drejtuar kombit më herët gjatë ditës, Zelensky tha se Ukraina ka mbrojtur pavarësinë e saj që nga pushtimi rus dhe nuk do t’i tradhtojë sakrificat e bëra nga populli.

“Historia po na vëzhgon nga afër. Marrëveshja nuk duhet thjesht të nënshkruhet, ajo duhet të pranohet nga ukrainasit. Ne e kemi mbrojtur pavarësinë tonë, nuk e kemi humbur shtetësinë tonë. Ukraina nuk ekziston vetëm në hartë. Ukraina është një aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij. Ai nuk i ka thyer ukrainasit. Ai nuk e ka fituar këtë luftë”, tha Zelensky.

Një minutë heshtje u mbajt në të gjithë vendin, ndërsa ushtarët ulën flamujt në kryeqytetin Kiev për të shënuar një tjetër vit lufte. Sipas një vlerësimi nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, bilanci i viktimave është gati dy milionë të vrarë dhe të plagosur nga të dyja palët, përfshirë rreth 1.2 milionë rusë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos