Dashamir Shehi propozon subvencion të pensioneve të ulëta dhe të mesme

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2024, 10:33 | Politikë

Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, ka bërë një deklaratë të rëndësishme këtë të premte, duke propozuar subvencionim për pensionet e ulëta dhe të mesme. Shehi theksoi se kjo masë është e domosdoshme për përmirësimin e jetës së afro 700 mijë pensionistëve shqiptarë, gjysma e të cilëve, sipas tij, përballen me varfëri.

“Nuk është vetëm për peshën politike të pensionistëve, por për anën morale të kësaj çështjeje,” u shpreh Shehi. Ai kritikoi qeverinë, duke thënë se buxheti i ri nuk i ofron mbështetjen e nevojshme për këtë grup të ndjeshëm të shoqërisë. “Në buxhetin e ri janë vetëm 16 milionë për indeksim pensionesh, një shumë shumë e vogël,” shtoi Shehi, duke e cilësuar këtë si të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e kostove të jetesës, shkruan A2.

Shehi vuri në dukje se buxheti prej 8.2 miliardë eurosh është më i madhi në historinë e vendit, por u shpreh i shqetësuar që nga kjo shumë, një pjesë e konsiderueshme do të shkojë për shlyerjen e deficitit dhe pagesat e tjera, ndërsa pensionistët mbeten pa ndihmën e duhur.

Kreu i LZHK-së propozoi krijimin e një “shporte subvencioni” për një dekadë të tërë për pensionet e ulëta dhe të mesme, duke e parë këtë si një investim afatgjatë që mund të përmirësojë cilësinë e jetës për të moshuarit shqiptarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos