Parlamenti anormal, përplasja PS-PD “zë” ngushtë ambasadorin e BE, apel për normalitet

Nga Ervin Koçi
31 Tetor 2024, 15:57 | Politikë

Mosbindja civile e demokratëve vijon të shkaktojë anormalitet në punimet e Kuvendit, ndonëse tashmë në mënyrë më të moderuar. Në mes të kësaj përplasje këtë herë u gjend edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato i cili apeloi për rikthimin e opozitës në sallë dhe zhvillimin e debateve në institucione. 

Anormaliteti parlamentar po kthehet në një normalitet tëri. Edhe kjo e enjte e gjeti sallën e seancave plenare të rrethuar me gardh metalik, dhe me kordoni ne gardës që nuk lejonte të futeshin brenda saj deputetët demokratë të përjashtuar., transmeton A2.

Kjo përplasje dukej se ishte simbolike pasi forcën e treguar në të shkuarën nuk e reflektuan këtë të enjte.

Brenda sallës u futën disa deputetë demokratë të cilët vetëm sa rritën nivelin e vigjilencës të gardës së republikës por nuk penguan fjalimet në sallë. Në vend të kësaj ata kishin zgjedhur të nxirrnin në oborr disa karrige. Tërheqja e demokratëve nga radikalizimi u duk në momentin kur asnjëri nuk nxori çakmakun për t’i djegur, por i përdorën si dekor për fjalime.

Si çdo seancë, edhe kjo duhet të përcillte mesazhin politik ku demokratët shprehën stoicizmin e tyre për mosbindje civile, shkruan A2.

Teksa opozita rrinte jashtë, brenda sallës socialistët vijon diskutimet. Në mungesë të opozitës, zgjodhën që këtë detyrë ta merrnin vetë përsipër dhe kritikat ndaj qeverisë nuk munguan, sidomos kur u ngrit çështja e mbetjeve toksike dhe ministrja e Mjedisit u largua nga salla. 

Me këto dy realitete politike u përball edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, të cilin Elisa Spiropali e kishte ftuar në zyrën e saj në sallën e seancave plenare për të marrë në dorëzim progres-raportin. raporton A2.

Ardhja e Gonzatos qëlloi të ishte si dhuratë për demokratët, pa të cilin mosbindja civile e të enjtes do të konsiderohej e përgjumur. Në dalje nga salla, Kreu i Delegacionti të BE-së u pyet mbi situatën, përgjigjen e të cilit e dëgjuan me shumë vëmendje edhe deputetët opozitarë.

Me largimin e Ambasdorit të BE-së, edhe deputetët e PD-së e panë të arsyeshme të largoheshin nga salla për të menduar mosbindjen e radhës me metoda civile, ndërsa socialistët qëndruan edhe disa minuta duke miratuar edhe rendin e ditës.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos