
Masakra me tre viktima në Shkodër ka nxitur kreun e Partisë Demokratike, për ta zhvendosur aksionin opozitar në këtë qytet. Në fjalimin e përnatshëm nga banesa e tij, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen mosbindjes civile në Shkodër të shtunën në orën 12:00.
“Kjo ngjarje, kjo masakër, është një alarm, është një thirrje për çdo shkodran, të dalë, të ngrihet me burrëri dhe guxim në mosbindje civile për të rikthyer në duart e qytetarëve qytetin e vet të bekuar. Të qytetarëve të vet fisnikë, punëtorë, të ndershëm, qytetin që u vu nën pushtim të bandës më 14 maj dhe që Edi Rama kërkon ta mbajë në pushtim përsëri. Prandaj ditën e shtunë, në ora 12:00, bëj thirrje në Shkodër, marshimi i çlirimit, marshi i shpëtimit në Shkodër. Qytetarë dhe qytetare shkodranë. Ditën e shtunë, duhet të rifitoni qytetin tuaj”.
Duk folur për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në Shkodër, ku Flutura Basha dhe dy të rinj, Hamza Liçi dhe Arlind Bushati, humbën jetën, Berisha tha se kjo ishte një masakër të paralajmëruar. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe policinë për bashkëpunim me krimin e organizuar.
“Çdo shqiptar, duhet të shtrojë sot një pyetje: Çfarë po ndodh me ne si shoqëri? Çdo shqiptar sot duhet të dëgjojë zërin e thellë të ndërgjegjes së tij. Sepse nëse dje u vranë 3 veta në Shkodër, ndër të cilët një nënë e pafajshme dhe dy të ri u këputën nga dora vrastare në lulen e rinisë, po ashtu pak kohë më parë u vra në Velipojë 20-vjeçari Myzeiri, ditën e parë të punës si kamarier. Po ashtu u vra në Tiranë edhe Mimoza, djyshja heroinë që punonte banakiere 16 orë në ditë për të mbajtur fëmijët e vajzës së vet. Po ashtu u vranë në Tiranë, Erioni dhe Gledio, gabimisht duke pirë kafe, nga bandat vrastare që bashkëpunojnë me qeverinë. Po ashtu u vra në Elbasan, 29 vjeçari Enea, se i shpërtheu tritoli në derën e shtëpisë së komshies. Për gjithë këto viktima të pafajshme, çdo shqiptar duhet të dalë para pasqyre dhe të pranoj se të gjithë kemi nga një pjesë të fajit. Sepse ata killera që kanë marrë këto jetë të pafajshme, janë po ata që grabisin votat ditët e zgjedhjeve për llogari të Edi Ramës. Sepse para syve na kanë marrë drejtësinë. Na kanë marrë demokracinë dhe pak nga pak po marrin jetën dhe shkatërrojnë edhe kombin!” (A2 Televizion)