Shqipëria duhet të ndërrojë marsh duke përshpejtuar reformat, nëse dëshiron të mbyllë brenda vitit 2027 negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pasi i dorëzoi progres-raportin, ambasadori Silvio Gonzato ia bëri të qartë Kryeministrit se nuk do të jetë e lehtë.
Klima konfliktuale politike, që vështirëson reformat, është një nga sfidat kryesore që diplomati europian zgjodhi të evidentojë. Rama u duk se minimizoi rrezikun që protestat e opozitës të kthehen në pengesë për integrimin dhe mori shembullin e konfliktit me Greqinë për çështjen Beleri.
I pyetur nëse është i gatshëm të dirigjojë një përpjekje për të bashkuar mazhorancën dhe opozitën në ballon e dialogut politik, ambasadori Gonzato hezitoi.
Rama mohoi që mazhoranca të jetë përjashtuese në raport me pakicën parlamentare, ndërsa Gonzato i la opozitës dozën e vet përgjegjësisë në raport me dialogun e munguar politik.
Kryeministri e quajti raportin e Komisionit Europian si më realistin për situatën në vend, duke pranuar edhe kritikat e dokumentit ndaj Qeverisë. (A2 Televizion)