Giorgia Meloni ka inspektuar kampin e parë të emigrantëve në Shëngjin dhe ka dhënë mbështetje për kolegun e saj shqiptar Edi Rama, i vënë në shënjestrën e medias dhe të majtës italiane. Vetë Rama, duke përfituar nga prania e gazetarëve të shumtë italianë, adresoi të gjithë zemërimin e tij ndaj asaj që e quajti “përbaltje për të dhe Shqipërinë”.
Një zonë e sigurisë së lartë e rrethuar me kamera nga të gjitha anët, policë italiane, të cilët hyjnë dhe dalin nga struktura duke bërë përgatitjet për të pritur kryeministren e tyre, sanitaret shqiptare të cilat sipas traditës i hedhin fshesën e fundit sheshit para kampit italian.
3 ditë para zgjedhjeve europiane, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një vizitë disa orë në Shqipëri mori zyrtarishtçëlesat e kampit të parë të emigrantëve brenda Portit të Shëngjitnit. Edhe pse Gjykata Kushtetuese e vendit tonë është shprehur se brenda dy qendrave pritëse në Lezhë duhet të ketë juridiksion të dyfishtë, shefi i qeverisë shqiptare mendon se toka brenda strukturës së ndërtuar për 5 vite ka “pronar” shtetin Italian. Këtë, ai ua tha në gjuhën e tyre në konferencën për shtyp krah Giorgia Melonit.
Jo pa qellim, deklarata hyrëse me ton e kryeministrit shqiptar ishte në italisht. Ajo i drejtohej publikut matanë Adriatikut, jo edhe aq atij shqiptar. Zemërimin me reportazhin e emisionit Report në Rai 3, Edi Rama e shkarkoi para gazetarëve të pranishëm në konferencë që kishin udhëtuar nga Italia për në Lezhë, si dhe pjesës tjetër të politikës në Romë.
“Nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur një trishtim për vetëm gjysmë të vërtetat, të cilat janë thënë në mediat italiane, përfshirë këtu shërbimin publik italian, mbi Shqipërinë. Duhet të kenë turp, pra të turpërohen të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të vetë publikut Italian”, tha Meloni.
Homologia e tij italiane u mundua ta ngushëllojë Kryeministri Rama duke e qetësuar se sulmin daj tij është vetëm një dëm kolateral, pasi objektivi sipas Melonit ishte qeveria e saj.
“Arsyeja e vërtetë nuk është sigurisht që të sulmohet qeveria shqiptare, populli shqiptar, por janë sulme armiqësore ndaj qeverisë italiane”, tha Meloni.
Shqipëria dhe Italia kanë një marrëdhënie historike miqësisë ndër vite, thanë të dy kryeministrat, pavarësisht se kush i ka drejtuar këto dy shtete. Por nga Shëngjini Edi Rama i përcolli një mesazh partisë simotër në Romë, ndërsa Giorgia Meloni i kërkoi të rishikojnë sulmet e përqendruara politike.
“Italia ka qenë gjithmonë avokati ynë më i rëndësishëm në Bruksel. Kjo duhet kuptuar mirë edhe nga shokët e mi të dashur të së majtës italiane sepse kur ata shprehin konsiderata për mënyrën se si vepron qeveria shqiptare kundrejt Italisë, duhet edhe të kuptojnë që tesera e anëtarësimit në një parti dhe në një fushë politike veprimi, në një fushë politike, nuk kanë të bëjë”, tha Rama.
“Unë mendoj që duhet vlerësuar fakti që për të goditur, për të sulmuar qeverinë italiane, goditet apo sulmohet edhe një partner ndërkombëtar, sepse këtu nuk po dëmtohet thjesht qeveria italiane, por edhe Italia si vend, sepse pavarësisht suksesit ose jo të marrëveshjes, e gjitha kjo përfshihet apo është pjesë e të gjithë përbaltjes që i bëhet qeverisë italiane dhe këtu rrezikojmë që t’i shkaktojmë një dëm të gjithë vendit”.
Por për të nisur edhe ardhja e parë e emigrantëve duhet që të jetë gati edhe kampi në Gjadër, punimet në të cilin nuk kanë ecur me rimte të shpejta. Brenda rrethimit shihen vetëm kamionë dhe forca të sigurisë. Asnjë godinë e ngritur e cila parashikohet të mbajë 3 mijë persona. Por Meloni pasi e pa gjendjen nga afër mendon që emigrantët do të zbarkojnë në Shqipëri para vjeshtës.
“Dy strukturat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe do të jene operative prej datës 1 gusht dhe flitet aktualisht për më tepër se 1 mijë vende dhe pastaj për të mbërritur deri tek shifra 3 mijë siç kemi folur dhe siç kemi rënë dakord", tha Meloni.
Po çfarë do të ndodhë me emigrantët, të cilët Italia do t’i refuzojë? Kryeministri Rama nuk ka një përgjigje direkte, por e përjashton mundësinë që shteti shqiptar t’i flakë në rrugë.
“Edhe sikur të themi, Italia e mbyll me kaq, ne nuk mund të bëjmë asnjë zhurmë dhe nuk mundtë bëjmë asnjë naze për 3 mijë njerëz, njerëz në hall, njerëz që ikin nga varfëria dhe që janë viktima të trafikantëve që u marrin edhe lekun e fundit dhe i sjellin lakuriq në brigjet e Europës. Gjyshërit tanë kanë mbrojtur hebrenjtë, s’kanë dorëzuar asnjë hebre tek nazistët, asnjë!”, tha Rama.
Qeverisë italiane, sipas Melonit, për 5 vite përgjegjësia për të dy kampet do t’i kushtojë 670 mln euro, ndërsa autoritetet shqiptare do të kujdesen për sigurinë e zonës jashtë këtyre qendrave. (A2 Televizion)