Debate për kërkesën e PD-së për shkarkimin e Veliajt në Këshillin Bashkiak, Shabani: Nuk ka pse të dëgjohet

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 11:34 | Politikë

“Nuk ka çfarë të dëgjohet Veliaj. Duhet të kishte dhënë dorëheqjen për të mbrojtur interesin publik”. Kështu u shpreh këshilltari Endri Shabani teksa këshilli bashkiak është mbledhur për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës 7 muaj pasi ai ndodhet në qeli. Në një deklaratë për mediat, Shabani theksoi se gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak pati debat pasi nuk janë përfshirë kërkesat e opozitës për dëgjimin e Veliajt.

“Erion Veliaj që nga 10 shkurti është në burg dhe ligji është i qartë që; pas 3 muajsh këshilli bashkiak duhet t’i propozojë Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij. Pati debat se nuk janë përfshirë kërkesat e opozitës. Unë kam qenë i pari që kam kërkuar shkarkimin e Veliajt dhe jam përjashtuar nga këshilli bashkiak për këtë kërkesë. Sot i erdhën mendtë anëtarëve të PS dhe po e votojnë. Por është më mirë vonë se kurrë. U diskutua dhe nuk pati dakordësi. Nuk kishte argumente. Ata thoshin që të vinte në çdo kohë, por e pengonte prokuroria. Për mendimin tim nuk ka çfarë të dëgjohet më”.

Shabani shprehet se e rëndësishme është që ai po shkarkohet dhe Tirana po shkon në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk ka çfarë të dëgjohet Veliaj. Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen për të mbrojtur interesin publik. Nuk e ka dhënë dorëheqjen. Këshilli Bashkiak i propozon shkarkimin këshillit të ministrave dhe ai merr vendimin. Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme të mos e lëmë bashkinë pa kryetar se u bënë 7 muaj. Kërkesa ime ishte ta nisnin me ndjesë për qytetarët e Tiranës. E rëndësishme është që Veliaj po shkarkohet dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos