Kryesia e Këshillit Bashkiak të Tiranës është vendosur të mblidhet këtë të martë në orën 15:00, një orë para mbledhjes së parashikuar të vetë këshillit, ku pritet të merret vendimi për shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj.
Burime për A2 CNN konfirmojnë se Ilir Alimehmeti, këshilltar bashkiak i Partisë Demokratike, ka kërkuar në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale pse nuk është futur në rend dite kërkesa e opozitës për shkarkimin e Veliajt. Gjithashtu, këshilltari tjetër demokrat, Dorian Teliti, ka kërkuar që Erion Veliaj të dëgjohet në mbledhjen e këshillit, siç edhe ka kërkuar vetë kryetari i Bashkisë.
Endrit Braimllari, duke folur në emër të mazhorancës, ka deklaruar se është refuzuar që kërkesa e Partisë Demokratike të futet në rend dite. Sipas tij, opozita mund ta ngrejë këtë pretendim në mbledhjen e kryesisë së këshillit në orën 15:00.
Procedurat për shkarkimin e Veliajt u nisën nga këshilltarët socialistë pas udhëzimit të marrë nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS. Veliaj nuk është paraqitur në punë prej muajit shkurt të këtij viti, që kur u arrestua me urdhër të SPAK. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, si korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Vetë Veliaj, nëpërmjet dy shkresave ka kërkuar që jetë i pranishëm në mbledhje, por adresa e tyre duket se nuk ishte në drejtimin e duhur. Lirinë e përkohshme kryetari në detyrë e kërkon pranë Këshillit Bashkiak të Tiranës, e jo Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, organ i cili ka kompetencë për të nxjerrë nga qelia personat e burgosur apo paraburgosur me leje të posaçme. Shkresa e tij gjeti refuzimin e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, Endrit Braimllari, i cili e sugjeron Veliajn të mbrohet jo me fjalë por me laps e letër. Refuzimi i Braimllarit u konsiderua si tejkalim kompetencash nga ana e Veliajt i cili nëpërmjet një shkrese tjetër, tha se procedura që po ndiqet është antikushtetuese.
Vendimi për shkarkimin e tij duket diçka pa kthim pasi krahas votave të socialistëve në këshill, edhe opozitarët janë shprehur se do të votojnë pro kërkesës, ndërsa fjalën e fundit do ta thotë Këshilli i Ministrave, i cili është organi që siglon Shkarkimin e Veliajit.
Për ironi të fatit, personi që e kandidoi tre herë Veliajn për kryetar të bashkisë së Tiranës, Edi Rama, do të jetë po ai që do të vendos për shkarkimin e tij, por firma e kryeministrit do të duhet të presë 15 ditë përpara se sa të hyjë në fuqi.
Kushtetuta thotë se në rast shkarkimit të të zgjedhurve vendor, i shkarkuari, në këtë rast Erion Veliaj, ka të drejtë ta ankimojë procedurën në Gjykatën Kushtetuese, dhe në rast se bën diçka të tillë, atëherë edhe procedura e shkarkimit do të duhet të kalojë filtrin kushtetues, i cili mesatarisht zgjat tre muaj, Kësisoj, edhe planet e socialistëve për zgjedhje të shpejta në Tiranë, mund të shtyhen për muajt e parë të 2026. (A2 Televizion)