Njësoj si një javë më parë, deputetët e Partisë Demokratike janë përballur me gardën në derën e Kuvendit. Me në krye Flamur Nokën, Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, deputetët kërkojnë që të futen në sallën e Kuvendit, por nuk janë lejuar.
Ndonëse nuk janë të përjashtuar, garda ka bërë bllokimin e tyre. “Hapeni derën, ku e keni urdhrin”, dëgjohet të thotë Albana Vokshi.
Të përjashtuar janë 10 deputetë, mes tyre Edmond Spaho, Saimir Korreshi dhe Kastriot Piroli. Sot në seancë pritet të votohet heqja e imunitetit të Sali Berishës.
Policia e kryeqytetit ka marrë masa për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë protestës së demokratëve. Që në orët e para të mëngjesit makina dhe forca të shtuara të Policisë janë vendosur në hyrje të ndërtesës së Parlamentit.
Ndërkohë, në protestën që po zhvillohet jashtë Kuvendit, i është bashkuar vajza e ish-kryeministrit, Argita Berisha.
Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë për interpretimin e nenit kushtetues për heqjen e imunitetit, duke i hapur kështu rrugën Kuvendit për heqjen e mandatit.
Më pas, do të jetë Prokuroria e Posaçme ajo që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Sali Berishën. (A2 Televizion)