I ftuar në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN, Aldo Bumçi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, foli në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi ankimimin e deputetëve të PD për masën ndaj Sali Berishës.
Sipas Bumçit, vendimi i sotëm i gjykatës tregoi degradimin e saj, teksa shtoi se, kur një institucion mbyll dyert, ka rënë republika kushtetuese. Ai vijoi më tej se, Gjykata Kushtetuese ka grisur Kushtetutën dhe ka mbyllur derën për ta vendosur vendin në shinat e normalitetit.
A jeni të befasuar nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ankimimin tuaj?
Jemi shumë të befasuar, për degradimin, kalbëzimin deri në këtë masë, kur institucioni asgjëson vetveten. Ku ai institucion mbyll dyert, ka rënë republika kushtetuese. Me këtë vendim, Gjykata ka rrëzuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Këtu është pushteti i një individi të vetëm, Shqipëria ka hyrë në rekordet e zeza, ky Gjykata u zhduk për tre vite. Gjykata Kushtetuese ka grisur Kushtetutën, ka mbyllur derën për ta vendosur vendin në shinat e normalitetit. (A2 Televizion)