Sot votohet heqja e imunitetit të Berishës, blindohet Parlamenti

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2023, 08:16 | Politikë

Këtë të enjte, parlamenti pritet të votojë për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, pas miratimit që mori në Këshillin e Mandatave ditën e hënë. Në të njëjtën kohë, edhe opozita ka paralajmëruar protestë, e cila sipas demokratëve është vazhdim i mosbindjes civile në Parlament.

Ndërkohë policia e kryeqytetit ka marrë masa për të ruajtur rendin dhe sigurinë, gjatë protestës së demokratëve. Që në orët e para të mëngjesit, makina dhe forca të shtuara të Policisë shihen në hyrje të ndërtesës së Parlamentit, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, hyri në Kuvend nga pedonalja Murat Toptani.

Një ditë më parë, Gjykata kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë për interpretimin e nenit kushtetues për heqjen e imunitetit, duke i hapur kështu rrugën Kuvendit për heqjen e mandatit.

Më pas, do të jetë Prokuroria e Posaçme ajo që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Sali Berishën.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos