
Një 29-vjeçare u arrestua nga policia pasi gjatë kontrollit në automjetin e saj u gjendën molotovë, fishekzjarrë, kapsolla dhe sende të tjera të kundërligjshme për të furnizuar protestën. Gazetari Igli Çelmeta bën me dije se bëhet fjalë për shtetasen Fatime Paja. Arrestimi i kësaj të fundit e çon numrin total të të arrestuarve në lidhje me protestën e 28 nëntorit në 14.
NJOFTIM
Siguronin dhe furnizonin me sende të kundërligjshme pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar dje, me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e akteve të dhunshme, vihet në pranga një shtetase dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Sekuestrohen 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, maska kundragaz dhe sende të tjera. Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të kundërligjshme, me qëllim përdorimin e tyre gjatë protestës së datës 28 nëntor, finalizoi operacionin policor të koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja F. P., 29 vjeçe, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”.
Nga kontrolli i automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, I. M., 28 vjeç dhe R. S., 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme, për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)