Përballë shqiptarëve në Michigan të Amerikës, Edi Rama foli për herë të parë me zë dhe figurë pas vendimit të Dhomave të Hagës kundër ish-komandantëve të UÇK-së. Tre paragrafë, për të cilët tha se është përpëlitur si rrallëherë, pasi fjalët i dukeshin të kota njësoj si në mort.
“Një mort për së gjalli në këtë rast, një varrosje njerëzish të gjallë dhe një pafuqi kombëtare përballë një marrëzie ndërkombëtare”.
Kishte një përgjigje përballë thirrjeve për të respektuar vendimin e Gjykatës.
“Jo vendimin e Gjykatës, por edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e Gjykatës, po problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen asgjëkund veten në atë vendim të dhënë, jo thjesht në gjuhë të huaj, po edhe në një tëhuajsim të vetë drejtësisë”.
Shqipëria, pohon Kryeministri, nuk mund të bëjë më shumë se të rrijë në krah të Kosovës.
“Sidoqoftë, të zgjedhurit e popullit të saj do të vendosin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave dhe unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të Gjykatës nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si një fatalitet pa apel”.
Një shigjetim e kishte për mbështetjen që diaspora i dha protestës së flamingove.
“Askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja deri jo shumë vite më parë se si një shpend aq i hijshëm, por edhe aq i brishtë dhe i urtë, do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debati shumëplanësh për natyrën, për zhvillimin, për turizmin, për “Trump-izmin”, por përtej këtij të fundit, që për hir të së vërtetës e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati diçka shumë domethënëse në manifestimin qytetar të protestës së qershorit, që faktikisht tërhoqi jo vetëm vëmendjen, por edhe mbështetjen e shumëkujt edhe jashtë Shqipërisë në diasporë”.
Në takim njoftoi hapjen së shpejti të konsullatës së Shqipërisë në Detroit. (A2 Televizion)