Deputetët e Partisë Demokratike, të cilët janë përjashtuar përkohësisht nga punimet për sjelljen e tyre gjatë të hënës, mbërritën të enjten në mëngjes në Parlament, ku do të zhvillohet një tjetër seancë plenare.
Por në hyrje të godinës janë vendosur gardistët të cilët nuk i lejojnë të futen, pikërisht pasi një ditë më parë Sekretariati i Etikës i përjashtoi nga punimet.
Konkretisht, deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati u përjashtuan për 60 ditë. Për deputetin Edi Paloka kjo masë ndëshkimore është për 10 ditë, ndërsa 20 të tjerët janë përjashtuar me 40 ditë, shkruan A2 CNN.
Vendimi u mor të mërkurën, pas kërkesës së grupit parlamentar socialist për marrjen e masës disiplinore ndaj tyre, për shkak të tensioneve dhe dhunës së krijuar në seancën parlamentare të së hënës nga deputetët demokratë, të cilët kundërshtuan dënimin e Ervin Salianjit me një vit burg, raporton A2 CNN.
Edhe mbledhja e sotme e Komisionit të Etikës u shoqërua nga kaosi dhe tensionet për shkak të protestës së deputetëve të opozitës në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në një deklarate për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, pohoi se mosbindja civile do të vazhdojë. (A2 Televizion)