Dështon mbledhja, sherr dhe ofendime, PS braktis hetimorin për shëndetësinë

Nga Anesti Barjamemaj
13 Qershor 2024, 16:39 | Politikë

Ishte planifikuar një seanca maratonë për pyetjen e dëshmitarëve, por Komisioni Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, check up dhe sterilizimin, u kthye ne arenë debati. Konflikti i interesit ishte shkaku i parë i përplasjes mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Pas debateve, që hera herës kaluan dhe në fyerje personale, çështja e konfliktit të interesit u tejkalua përmes mekanizimit të votimit.

Kur u duk se palët gjetën qetësi, pyetjet e anëtarit socialist Plarent Ndreca për dëshmitarin e parë, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bexhet Zeqiri, rikthyen edhe njëherë tensionet.

“A keni ju një standard që zbatohen në auditimet e KLSH sa i përket koncesioneve?” u shpreh Ndreca.

“Refuzoj të përgjigjem”, tha Bexhet Zeqiri – Auditues, KLSH.

Ndreca insistoi disa herë për të marrë përgjigje, por nuk arriti që të merrte asnjë. Kjo e detyroi që të braktiste mbledhjen përkohësisht.

Edhe me rikthimin në mbledhje, situata ishte po e njëjtë. Në vend të përgjigjeve që kërkonte, Ndreca mori një akuzë se ishte në konflikt interesi me audituesin.

"Kam të drejtën të mos përgjigjem, por këto pyetje që më keni bërë sot nuk i keni bërë kur ju kam audituar ju", tha Zeqiri.

“Ju nuk duhet të ishit fare këtu, por bëni një hakmarrje të verbër kundër KLSH”, tha Vokshi.

“Ju nuk jeni këtu për të dëgjuar njëri tjetrin. Më lejoni të bëj pyetjet” u shpreh Ndreca.

Dëshmitari u kthye në spektator, pasi anëtarët e komisionit nisën debat me njëri-tjetrin ku nuk munguan as fyerjet personale.

Socialistët në shenjë revolte, duke deklaruar se ishin ndjerë të fyer si nga dwshmitari dhe nga kryetarja e komisionit që nuk vendosi rregull, u larguan për së dyti.

Pavarësisht se Kuvendi mbylli sinjalin për media, demokratët e vijuan nga mediat sociale seancën e marrjes në pyetje, ndonëse në mungesë kuorumi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos