Pas konfirmimit të dënimit me një vit burg të Ervin Salianjit, kryesia e Partisë Demokratike vendosin që më 6 tetor të dalë në protestë jo vetëm për arrestimin e deputetit demokrat.
Në një videokonferencë me gazetarët këtë të shtunë, Sali Berisha dha detaje për 6 tetorin, duke theksuar se atë ditë do të mbahet një protestë kombëtare, por do të jetë edhe fillimi i betejës së opozitës me mazhorancën.
Berisha theksoi se aksioni opozitar do të jetë i programuar për të arritur te qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira, shkruan A2 CNN.
“Së pari, do të jetë padiskutim protestë kombëtare. Kjo jashtë çdo dyshimi. Së dyti, do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafies Rama-Xhafa dhe fillimit të betejës tonë, e cila ishte 100% e programuar dhe planifikuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Deputetët e opozitës do të jenë në udhëheqje të protestës, revoltës dhe mosbindjes civile në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit, aty ku të lipset dhe ti kërkojë nevoja, ku të japin më shumë në këtë betejë. Për deputetë, drejtuesit e PD, ka vetëm një objektiv dhe moto, betejë, betejë dhe vetëm betejë”, tha Berisha. (A2 Televizion)