Gjykata e Posaçme ka vendosur heqjen e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për dhëndrin e kryedemokratit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se GJKKO ka marrë këtë vendim, kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh, të vënë në dispozicion nga Malltezi.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash për dosjen e shumëpërfolur të privatizimit të ish-kompleksit Partizani në kryeqytet, shkruan A2 CNN.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha.
Kujtojmë se dosja për aferën Partizani, kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, raporton A2 CNN.
Gjatë fjalës së tij pas daljes nga ambientet e GJKKO, Malltezi e cilësoi procesin ndaj tij dhe Berishës si të montuar politikisht, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, shkruan A2 CNN.
Ai tha gjithashtu se menjëherë pas urdhrit të Ramës, SPAK ka hetuar 5 breza të tij. Kjo pasi sipas Malltezit, në hetime gjeti edhe firmën e stërgjyshit të tij 90 vite më parë.
“Kemi të bëjmë me një proces politik, që gjatë rrugës u ndot akoma më tej. Sapo Edi Rama urdhëroi SPAK që të hetonte Sali Berishën, SPAK kërceu. Ja ku i keni 16 kërkesa brenda muajit. Më gjeni një rast në Shqipëri që janë hetuar 5 breza, jo një brez.
E kanë filluar që me stërgjyshin tim para 90 vitesh. Unë aty kam gjetur firmën e stërgjyshit tim, që i ka thënë italianëve ‘jo, shkoni në punën tuaj, s’keni punë me pronën tonë’.
Kemi një proces me urdhër politik, por edhe të ndotur, sepse u gjet gjyqtarja Irena Gjoka, që nuk përmbushte kushtet për të qenë gjyqtare”, tha mes të tjarash Malltezi. (A2 Televizion)