Marrëdhënia përherë dhe më e tensionuar mes Kosovës e Serbisë nuk i ka shpëtuar vëmendjes së kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë konferencës "Shqipëria, Horizonti i ri" tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është i dështuar për shkak të formatit.
Rama këshilloi udhëheqjen e Kosovës që të ndjekin rrugën e tyre, të pandikuar nga çfarë kërkon apo pranon Serbia, duke përmbushur kushtet për pranimin në Bashkimin Europian. Sipas kryeministrit nëse Prishtina zyrtare dështon të ndjekë hapa të tillë, atëherë vendi do të shkojë drejt izolimit.
“Më trishton, të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim. Unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur, ka një rrugë shumë të qartë, Kosova nuk duhet të mendojë e të shohë Serbinë, por duhet të bëjë pjesën dhe detyrat e veta. Duhet t’i japë BE-së të gjitha atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të kërkojë të ecë përpara. Kjo nuk ka të bëjë me përmbushjen apo pranimin e asaj që kërkon Serbia, ka të bëjë me pranimin e asaj që kërkon BE. Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE është një dështim i madh nga formati i gabuar. Vendi duhet të përmbushë kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës së BE. Nëse Kosova e bën këtë, është në interesin e saj më të mirë për të mos lidhur veten me Serbinë. Në të kundërt, do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë”, tha Rama. (A2 Televizion)