Rama për Diellën: I gjithë procesi i Prokurimeve Publike do menaxhohet nga Inteligjenca

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 14:22 | Politikë

Rama për Diellën: I gjithë procesi i Prokurimeve Publike do

Kryeministri Edi Rama, në konferencën "Shqipëria, horizonti i ri" që mbahet në Vjenë, foli edhe për ministren e Inteligjencës Artificiale, Diella.

“Përfshirja mjaft e madhe e qeverisë me teknologjitë e reja dhe inovacionin ka krijuar një paradoks në Shqipëri. Qeveria ka ecur shumë më parë se sektori privat kur vjen fjala tek inovacioni. Sot, e qysh prej disa vitesh për të qenë i sinqertë, kemi hequr shërbimet fizike, zyrat e pritjeve dhe radhët e gjata të njerëzve. 95% e shërbimeve ofrohen përmes internetit dhe të gjithë mund ta marrin shërbimin përmes telefonit të tyre celular. Është një ndryshim shumë i madh duke pasur parasysh edhe sa kërkues ishte sistemi i mëparshëm i ndërveprimit fizik dhe sa shumë korrupsion apo ryshfete kishte në sistem, ndërkohë që sot është i fshirë nga sistemi. Ana e mirë, për t’iu kthyer Inteligjencës Artificiale, është kapaciteti për të punuar mbi të dhënat, për t’iu shërbyer edhe më mirë qytetarëve. Ministrja mund të jetë në vende të ndryshme në të njëjtën kohë, do t’iu shërbejë njerëzve në këtë platformë vetëm përmes kërkesave të thjeshta. Sot, njerëzve u duhet të bëjnë disa hapa vetë për të marrë shërbimin, duhet të shkojnë nga një rubrikë tek tjetra. Shumë shpejt do të ndërveprojnë me ministren në kohë reale me zë, duke u thënë kam nevojë për këtë certifikatë, këtë dokument, këtë leje dhe ajo do t’ua ofrojë. Mjafton të kërkosh, më duhet kjo”, tha Rama, shkruan A2.

“Kur vjen fjala te prokurorimet është një hap mjaft i madh para dhe diçka krejt e re. Vetëm pak muaj më parë patëm një seminar të madh në Tiranë me përfaqësues të 16 vendeve të ndryshëm, që ndërvepruan me agjencinë tonë të inovacionit lidhur me prokurimet publike dhe mundësinë për ta transformuar në një proces të bazuar në Inteligjencën Artificiale. Projekti ynë është i vetmi që ka qasje gjithëpërfshirëse, ka disa programe dhe mënyra të ndryshme për të përfshirë Inteligjencën Artificiale në prokurimet publike, por vetëm në një pjesë të procesit. Është projekt ambicioz dhe po punojmë me Microsoft dhe shpresojmë shumë që do të realizohet se kemi punuar shumë për të pasur arkitekturën e duhur, në mënyrën që të nisë zbatimin. I gjithë procesi do administrohet nga Inteligjenca Artificiale, do jetë i shpejtë, transparent dhe do jetë lehtësim për kompanitë, s’do mbledhin letra lart e poshtë e të bëjnë dosje të mëdha për të ofruar informacion që është shumë i kushtueshëm në kuptimin e kohës dhe kostos”, shtoi Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos