Alba Kepi, këshilltare e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në një lidhje direkte me studion e “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN, shpjegoi pse nuk iu bashkua propozimit të PS-së për shkarkimin e Erion Veliajt.
“Nuk do ta bashkoj asnjëherë votën time me regjimin e Edi Ramës. Rama dhe Veliaj janë shkatërruesit e këtij vendi dhe nuk do të bëhem kurrë pjesë e lojës së tyre politike”, tha Kepi.
Kur u pyet nëse kolegët e saj demokratë kanë gabuar që bashkuan votën me socialistët, Kepi u përgjigj: “Erion Veliaj sot është në duart e drejtësisë. Ajo që do të kërkoja unë, është që akuzat ndaj tij të mos ishin për abuzime të rëndomta. Unë në kërkesën time kërkoja që akuzat të jenë se e ka përdorur Tiranën për grupet e organizuara kriminale. Ajo bashki duhet të ketë një auditim të jashtëm. Opozita duhet ta ketë Tiranën faktor për të ardhmen e saj. Por, unë nuk mund të jap asnjëherë votë pro me Partinë Socialiste, pasi nuk jam dekor dhe mendoj se po përdoremi për lojën diabolike Veliaj-Rama”.
Sipas saj, kolegët e saj kanë dhënë votën pro sepse të djathtët nuk janë “ushtarë, si kolegët socialistë”.
“Është aksion politik që ata e vlerësojnë në atë mënyrë. Unë kam një detyrim ndaj Tiranës që kalon përtej aksioneve politike. Unë duhet të ngre zërin kundër atyre që kanë shkatërruar vlerat e qytetit tim, historinë e qytetit tim, emrin e mirë të komunitetit tiranas dhe vijojnë të mbajnë peng qytetin”, shtoi Alba Kepi. (A2 Televizion)